Një pemë lisi e lashtë në pyllin Sherwood, e lidhur me legjendën e Robin Hood (Hud) në Angli, mund të jetë tharë për shkak të rritjes së vizitorëve në zonë.
“Lisi i Madh” 1,200-vjeçar nuk arriti të prodhonte gjethe në pranverë dhe besohet të jetë tharë, njoftoi Shoqata Mbretërore për Mbrojtjen e Shpendëve (RSPB).
Lisi ishte një nga pemët më të mëdha të Britanisë, me një perimetër trungu prej 11 metrash.
Gjatë dy shekujve të fundit, vizitorë të panumërt që shkelën tokën rreth lisit me gjelbërim të përjetshëm për të admiruar degët e tij të vjetra dhe kurorën e pasur e kishin ngjeshur tokën përreth tij, duke penguar ujin e shiut të arrinte sistemin rrënjor të pemës, tha grupi mjedisor, duke vënë në dukje se verat e nxehta dhe të thata të zonës luajtën gjithashtu një rol.
Simon Paffrey, i cili ishte pjesë e ekipit që kujdesej për pemën, tha:
“Ndërsa ekipi ka punuar pa u lodhur për të rivendosur mjedisin rreth kësaj peme ikonike – dhe ka parë shenja inkurajuese jete në disa zona – dëmi, siç duket tani, ishte tashmë shumë i thellë për t’u përmbysur plotësisht”.
Pema u bë e famshme si një atraksion turistik falë lidhjes së saj me Robin Hoodin. Megjithatë, miliona vizitorë që tërhoqi ky fenomen bënë që toka përreth pemës të bëhej aq e fortë sa betoni.
“Ka pasur një sasi të madhe aktiviteti”, tha për CNN Chloe Ryder, menaxherja e pasurive të RSPB në Sherwood Forest . “Rënia më e fundit përkoi me pesë vera shumë të nxehta dhe të thata, më së shumti korrikun e vitit 2022, kur Mbretëria e Bashkuar regjistroi një temperaturë rekord prej 40 gradë Celsius”, tha në një njoftim për shtyp Reg Harris, menaxher arborikulturor në kompaninë e kujdesit për pemët Urban Forestry, e cila po monitoron pemën.
Pema do të mbetet në këmbë, legjenda e Robin Hood
Pylli i Sherwood në Anglinë qendrore është streha e Robin Hood. Referencat e para për Robin Hood filluan të shfaqen në shekullin e 14-të dhe gjatë shekujve ai është përshkruar në libra, filma dhe seriale televizive.
Megjithatë, ndërsa “Lisi i Madh” është lidhur me legjendën, “në lidhje me historitë më të hershme mesjetare të Robin Hood që kanë mbijetuar, nuk ka referenca specifike për pemën e lisit”, tha Alex Brown, profesor i asociuar i historisë në Universitetin Durham në Angli.
Historitë e hershme përmendin se Robin dhe banditët e tij kishin pemë specifike takimi dhe “është e mundur që pema e takimit të ishte e lidhur me një pemë karakteristike brenda Pyllit të Sherwood”, tha profesori.
Edhe pse nuk është më gjallë, pema imponuese do të mbetet aty ku ka qëndruar për më shumë se një mijëvjeçar.
“Lisi i Madh do të vazhdojë të qëndrojë në zemër të Sherwood si një monument natyror që vizitorët mund ta vizitojnë, duke jetuar brenda legjendës së Robin Hood dhe duke vazhduar të ofrojë mbështetje për ekosistemin pyjor pas vdekjes së saj aq sa gjatë jetës së saj”, tha Holly Drake e RSPB.
Lisat dhe prerjet e pemës janë rritur tashmë në fidanë, të cilët janë mbjellë në të gjithë botën.
© Panorama.al













