Ben Blushi ka rikthyer në vëmendje një histori të treguar 10 vite më parë në Parlament, të një djali, i cili në atë kohë ishte përjashtuar nga konkursi për t’u bërë polic, pasi në krah kishte tatuazhin e nënë së tij që i kishte vdekur pak kohë më parë.
Ish deputeti dhe shkrimtari Blushi në video thotë se “djali e kishte fshirë duke qarë tatuazhin, por përsëri nuk ia dhanë konkursin, sepse të tjerët dhanë para, ndërsa ai nuk kishte”.
Ndërsa në postimin e fundit, Blushi thotë se kush e njeh atë djalin ta kontaktojë, pasi siç thotë ai “do ta fotografojë me tatuazhin e nënës së tij”.
“Djali kishte qarë gjatë, e kishte fshirë tatuazhin e nënës por prapë nuk e kishte kaluar dot klasën. Kishte humbur. Nuk ishte bërë dot polic megjithëse kishte fshirë fytyrën e nënës nga trupi i vet. Këtë histori ai mu lut t’a tregoja në parlament dhe unë e tregova sic ishte. Që atëherë ai djalë më ka humbur. Nuk e di më ku është, kush është dhe cfarë ka bërë. A është bërë dot polic? A e ka më tatuazhin e nënës së vet në trup? Nëse dikush e njeh të më thotë ku është dhe unë do ta fotografoj me tatuazhin e nënës. Sic fotografova historinë e tij të dhimbshme dhjetë vjet më parë në parlamentin e Shqipërisë”, shkruan sot Blushi (16 dhjetor 2025).

Postimi i Ben Blushit
HISTORIA E DJALIT ME TATUAZHIN E NËNËS NË KRAH
Dhjetë vjet më parë duke folur në parlament kam treguar historinë e një djali që ëndërronte të bëhej polic.
Ai kishte fituar të gjitha testet me përjashtim të njërit.
Kishte një tatuazh.
Kohë më parë i kishte vdekur mamaja dhe fytyrën e saj të bukur e kishte bërë tatuazh në krah.
Shkolla e Policisë i kishte kërkuar ta fshinte tatuazhin në mënyrë që të kalonte provimin.
Policëve nuk i lejohet të mbajnë tatuazhe në trup.
Djali kishte qarë gjatë, e kishte fshirë tatuazhin e nënës por prapë nuk e kishte kaluar dot klasën.
Kishte humbur.
Nuk ishte bërë dot polic megjithëse kishte fshirë fytyrën e nënës nga trupi i vet.
Këtë histori ai mu lut t’a tregoja në parlament dhe unë e tregova sic ishte.
Që atëherë ai djalë më ka humbur.
Nuk e di më ku është, kush është dhe cfarë ka bërë.
A është bërë dot polic?
A e ka më tatuazhin e nënës së vet në trup?
Nëse dikush e njeh të më thotë ku është dhe unë do ta fotografoj me tatuazhin e nënës.
Sic fotografova historinë e tij të dhimbshme dhjetë vjet më parë në parlamentin e Shqipërisë.
Historia qe Blushi ka treguar ne Kuvend
Ben Blushi ka treguar 10 vite me pare në Kuvend ngjarjen e trishtë të një djali, i cili nuk arriti të futej në shkollën e policisë, pasi kishte tatuazhin e nënës së ndarë nga jeta, në krah dhe humbi, ndonëse i kishte kaluar të gjitha testet.
G.R, i cili preferon ta mbajë të fshehtë identitetin e vet, tregon historinë e tij, se si një tatuazh po e mban larg ëndrrës për te qenë polic.
Pasi i vdiq mamaja, ai bëri në dorë një tatuazh, me shprehjen “you will always be in my heart” dhe ditëlindjen e saj.
“Mamaja më ka vdekur para tre vitesh dhe këtë tatuazh e bëra direkt. Nuk them që jam penduar që e bëra, por për shkak të punës, qe ëndërroja të kisha, mendova që nuk kishte asnjë problem për ta hequr. Ndërkohë, tatuazhin me portretin e mamit e kam në gjoks dhe atë nuk e heq për asnjë gjë në botë. Edhe pse vendi ku e kam bërë nuk sjell problem për në punë.”
23 vjeçari thotë se sapo mori vesh se për të qenë polic, nuk duhet të kesh shenja identifikuese apo tatuazhe, ai vendosi ta heqë dedikimin në dorë me operacion plastik. Por, përsëri nuk u pranua për të qenë në shkollën e policisë.
“Unë i kalova të treja fazat e konkurrimit, kalova me sukses provimin e teorisë, testin fizikë dhe atë psikologjik. Në raundin e parë fituan më shumë se 60 persona, sipas pikëve të grumbulluara i ndanë në dy grupe. Unë nuk isha te grupi i parë, por isha tek ai i dyti, quhesha fitues në pritje.

Gjatë kësaj kohe më thanë që nuk lejoheshin tatuazhet në vende të dukshme dhe një miku im më tha që nëse do bëja një tentativë për ta hequr mund të kishte ndonjë tolerim. Dhe unë kështu bëra, vendosa të bëja një operacion plastik për të hequr tatuazhin që kisha në dorë. Nuk e bëra më lazer pasi kisha frikë pasojat në lëkurë, gjithashtu edhe koha për të bërë seancat ishte e pamjaftueshme.
Pas kësaj, më thirrën në telefon për të hyrë në komision për të bërë vlerësimin mjekësor dhe atë fizik. Atje shkova me çdo dokumentacion që mora nga doktori, por personat që ishin në komision më thanë që shenja e operimit ishte problem.
Aty mendova se kjo ishte gjë e drejtë, më skualifikuan për tatuazhin e shenjën, pasi kështu është për të gjithë.
Por, me pas parë që në shkollën e policisë kanë hyrë shumë të rinj e të reja me tatuazhe, të cilët i shohim edhe në rrugë, kjo më bëri të kuptoj që ajo që më ndodhi mua ishte një padrejtësi. Si janë futur të tjerët është punë për ta, unë as nuk dua të merrem me këtë pjesë. Mua më intereson çfarë do të behet me mua, unë kam besim te vetja dhe e di që jam shumë i mirë për atë punë.”
23 vjeçari nga Tirana, thotë se rastësia e bëri ta takonte në rrugë z.Blushi, i cili e bëri publik rastin e tij, por edhe nëse do te takonte po aq rastësisht z.Rama, do ia kishte treguar po njësoj, sepse ai nuk do të ndalojë së luftuari për të qenë një polic, duke shfrytëzuar çdo dritare e portë.
“Do të vazhdoj të luftoj për të qenë në shkollën e policisë, duke mos lejuar një tatuazh të më pengojë. Ndaj nuk dua te them emrin ne këtë interviste, që të mos paragjykohem, kur të shkoj sërish në konkurs. Sepse prapë do të shkoj. Unë jam i ri dhe si të gjithë në moshën time, kërkoj të ndërtoj një jetë të sigurt. Dua që jetën ta kem këtu në Shqipëri, edhe pse kam letra greke dhe mund të shkoj të jetoj në shumë vende, përsëri zgjedh vendin tim”, thotë djali që do të bëhet patjetër polic dhe me siguri do të bëhet, tregoi Blushi ne ate kohe.
© Panorama.al










