Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi qeverinë nga Foltorja e tretë e opozitës para Kryeministrisë, për skandalet me korrupsionin dhe kërkoi largimin e saj sa më parë.
Teksa u shpreh se opozitarët nuk do largohen nga sheshi deri në rrëzimin e qeverisë “Rama”, renditi skandalet e saj si ai i Triportit të Vlorës, ku theksoi se i është dhënë një magazinieri të firmës Salillari koncesioni 60 mln euro.
Berisha nënvizoi se kryeministri po kërkon me përpjekjet e tij të bllokojë edhe vendimin e GJKKO-së për pezullimin e Belinda Ballukut, por opozita nuk do e lejojë.
“A do vazhdojmë të vidhemi nga një kusar që s’ka normë morale, që do të bllokojë vendimin e Gjykatës, po ne s’do i ndahemi atij deri në largimin nga pushteti, e dyta është misioni ynë. Të dashur miq, Edi Rama po shkatërron kombin, nuk përdor kampe përqendrimi e burgje politike, por përdor vjedhjet. Vjedh me bandën e tij 90% e të gjitha fondeve të punëve publike. Një magazinier i Salillarit është fitues i tenderit me 60 milionë euro për portin e Vlorës. A ka akt me flagrant vjedhjeje sesa ky. Një magazinier, a mund të imagjinoni shqiptarë që rruga të ndërtohet me çmimin dhjetë herë më të lartë se në Evropë”, u shpreh kreu i PD-së.
Një tjetër çështje që ai preku në fjalimin e tij ishte edhe ajo e tenderit të Unazës së Madhe, duke akuzuar zv/kryeministren Balluku për ndarjen e prokurimit në 17 lote për 19 km të mbetura, me çmim dhjetë herë më të lartë.
“Lexoni, nëse gjeni kund në botë, një rrugë gjithsej 19 km të Unazës dhe të ndahet ajo në 17 lote. Ky i vjedh 17 herë shqiptarët dhe se si të rrisë çmimin 5 herë në vjedhje. A do vazhdojmë ne, po, ky është sheshi ynë. Ne dalim nga ky shesh vetëm kur të shpëtojmë shqiptarët dhe Shqipërinë nga kjo bandë”, u shpreh ai.
Kreu i selisë blu foli edhe për problematikat me buxhetin e shëndetësisë dhe skandalin e mungesës së ilaçeve për të sëmurët:
“Këto ditë ka sjellë në parlament buxhetin e Shëndetësisë, e rrita thotë. Por e vërteta është se e krahasuar me 2013, buxheti i shëndetësisë është ulur me 500 mln euro të paktën. A ka sot hall më të madh për shqiptarët se sa të sëmurët. Erdhi koha të themi “Zoti i shpëtoftë nga spitalet”. Sepse duhet të paguash për çdo shërbim e ilaç, ka shkatërruar një sistem të tërë, kurse për vete vjedh dhe vetëm vjedh. Po arsimi, po shkollimi? Një shkatërrim! Me dokumente e firma zyrtare, si në asnjë vend tjetër”.
Më tej ai foli edhe për çmimet e larta, ndërtimet me paratë e krimit dhe drogës dhe varfërimin e shqiptarëve.
“Çështja tjetër është droga, eurot me sasi të mëdha, vijnë me kontejnerë, kurse ndërmarrjet falimentojnë dhe mijëra marrin rrugën e dheut dhe ikin. Pse ikin? Se shkatërrohen vendet e punës. Zhvlerësohet euro me 35%, kjo ndodh, familjarët marrin 35% më pak e varfërohen. Çmimet stratosferike në ndërtime, se baronët e drogës i kanë me gjak paratë. Ligjin e bën droga, droga vret në Roinas, në Elbasan kudo”, nënvizoi kryetari i PD-së.
© Panorama.al












