VIDEO/ Ndërron jetë bashkëkrijuesi i “Call of Duty”, Vince Zampella! Publikohet momenti i aksidentit fatal me Ferrarin e tij

Dec 23, 2025 | 9:29

Vince Zampella, një nga figurat më emblematike të industrisë globale të videolojërave dhe bashkëkrijues i serisë së famshme “Call of Duty”, ka ndërruar jetë në moshën 55-vjeçare, njoftoi të hënën kompania Electronic Arts (EA).

vince-zampella-mak

Electronic Arts nuk bëri të ditur shkakun e vdekjes. Megjithatë, NBC Los Angeles raportoi më vonë se Zampella humbi jetën në një aksident automobilistik pasditen e së dielës, në rrugën malore Angeles Crest Highway, në Kaliforni.

Sipas Patrullës së Autostradave të Kalifornisë, autoritetet u njoftuan në orën 12:43 pasdite të së dielës për një përplasje automjeti. Më pas u konfirmua se shoferi dhe një pasagjer humbën jetën, pa u bërë publikë emrat e tyre deri në njoftimin e familjarëve.

Pamjet nga aksidenti me një automjet Ferrari u transmetuan nga NBC, ndërsa policia bëri të ditur se, “për arsye ende të panjohura, automjeti doli nga rruga” dhe u përplas me një barrierë betoni.

Në deklaratën e saj, Electronic Arts e cilësoi Zampellën si një “vizionar”, duke theksuar se “vepra e tij kontribuoi në mënyrë vendimtare në formësimin e argëtimit modern interaktiv dhe frymëzoi miliona lojtarë dhe krijues në mbarë botën”.

“Është një humbje e paimagjinueshme dhe mendimet tona janë me familjen e Vince-it, njerëzit e tij të dashur dhe të gjithë ata që u ndikuan nga puna e tij”, thuhet në njoftimin e kompanisë, e cila nënvizoi se “ndikimi i tij në industrinë e videolojërave ishte i thellë”.

Zampella ishte bashkëthemelues i Infinity Ward, studios që publikoi lojën e parë Call of Duty në vitin 2003. Seria u shndërrua në një nga më të suksesshmet komercialisht në historinë e videolojërave, me dhjetëra tituj, ndërsa “Call of Duty: Black Ops 7” u publikua vitin e kaluar.

Njëkohësisht, ai ishte bashkëthemelues edhe i Respawn Entertainment, studio që krijoi, ndër të tjera, serinë Titanfall. Respawn Entertainment u ble nga Electronic Arts në vitin 2017, duke forcuar më tej pozicionin e EA-së në tregun e lojërave aksion në vetën e parë.

© Panorama.al

Te lidhura