VIDEO/ “Me pensionin që ka rritur as një kile kocka nuk ble dot”- Qytetarët të revoltuar në protestë: Rama qërohu, po vuajmë për bukë e ilaçe!

Jun 12, 2026 | 18:18

Mbahet sot protesta e 13-të qytetare në kryeqytet, ku njerëzit janë mbledhur masivisht në sheshin “Skënderbej”.

Prej andej, nën thirrjet e panumërta kundër qeverisë, protestuesit pritet të nisin marshimin drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për t’u vendosur përpara godinës së Kryeministrisë.

Në një prononcim për Neës24, një qytetar nga zona e Astirit, i cili u shpreh se vjen në protestë direkt nga puna, ka rrëfyer vështirësitë e tmerrshme ekonomike me të cilat po përballet familja e tij dhe pamundësinë për të jetuar me dinjitet në një lagje që sipas tij është lënë tërësisht në harresë pa shkolla e kopshte.

Ai deklaroi se pensioni i mamasë së tij është vetëm 110 mijë lekë të vjetra dhe se pa ndihmën e 8 fëmijëve, prindërit e tij nuk do të kishin mundësi të jetonin as për bukë dhe as për ilaçe.

Ai ngriti alarmin se po bëhet e pamundur të rritë dy fëmijët e tij që ndjekin shkollën, pasi çmimet janë rritur aq shumë sa frutat arrijnë t’i shikojnë vetëm nga televizori dhe në supermarket nuk marrin dot asgjë.

protesta

“Prindërit po na vuajnë për bukë, Edi Rama duhet të qërohet, ne po vuajmë, njerëzit ikin nga vendi. Po vuajmë për ilaçe dhe bukë”, tha ai.

Me tone të ashpra e të revoltuara, ai bëri thirrje për largimin e menjëhershëm të kryeministrit Edi Rama duke u shprehur se në Europë pushteti kufizohet në dy mandate, ndërsa këtu nuk po i dalin as katër mandate.

qytetari protesta

Kurse një tjetër u shpreh se pensionet janë qesharake dhe janë rritur vetëm 400 lekë.

“Vetëm një kile kocka ble me këto lekë që ka rritur për pensionin”, tha ai mes të tjerash.

© Panorama.al

Te lidhura