Është mbyllur dhe dita e 29-të e protestave qytetare kundër qeverisë Rama. Mijëra qytetarë u mblodhën edhe sot për të shprehur revoltën dhe pakënaqësinë e tyre ndaj kryeministrit, por edhe gjithë klasës politike.
Grumbullimi filloi si zakonisht në ora 19:00 te sheshi Skënderbej për të vijuar marshimin e nisjes së protestës te Kryeministria.
Qytetarë të shumtë morën fjalën në podiumin e improvizuar poshtë zyrës së kryeministrit, për të shprehur idetë dhe mendimet e tyre. Ata u treguan edhe një herë të palëkundur në dorëheqjen e gjithë qeverisë dhe formimin e një qeverie teknike.
Organizatorët u shprehën se protesta do vijojë të jetë e qetë dhe të shmangë momentet e dhunës. Ata paralajmëruan dhe qytetarët të ruhen nga provokimet e mundshme të patronazhistëve, që mund të jenë infiltruar në protestë.
Pas fjalimeve për më shumë se dy orë, ishte radha e marshimit të zakonsh. Kësaj here protestuesit kaluan nga rruga Myslym Shyri për t’u kthyer më pas te ura e Vasil Shantos, bulevardi buzë Lanës dhe sërish te Kryeministria. Një pjesë qëndroi aty për të kaluar natën te shkallët e institucionit, ashtu siç kanë bërë prej 1 jave tashmë.
Sakaq, nesër pritet protesta e 30-të dhe asaj do i bashkohen dhe disa eurodeputetë të Parlamentit Europian, të cilët kanë shprehur mbështetjen e tyre për revoltën e qytetarëve shqiptarë
KËRKESAT E PROTESTUESVE:
Kjo protestë mbarëpopullore dhe paqësore kërkon sa më poshtë:
1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të qeverisë.
2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor.
3. Ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e tyre me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera: ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
4. Paralelisht kërkohet anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e Paketës së Maleve, si dhe shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për investimet strategjike.
5. Kërkohet një kontratë të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës.
© Panorama.al












