Ish-kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, është bërë pjesë e një vale reagimesh në rrjetet sociale pasi u shfaq duke kërcyer në një video promovuese të këngës së re të partneres së tij, këngëtares Katy Perry.
Perry publikoi në Instagram një video ku shfaqet së bashku me disa miq duke kërcyer nën ritmin e këngës së saj më të fundit “Watch It Burn”.
Në video, këngëtarja, e veshur me një kostum të plotë, kërcen lart e poshtë në ritmin e muzikës ndërsa këndon, ndërsa pranë saj shfaqet edhe Trudeau, i veshur me pantallona ngjyrë krem dhe bluzë jeshile, duke marrë pjesë në koreografi.
“Tekstet e lashta thonë se nëse kërcen në ritmin e kësaj kënge, do të kesh 1000 vite fat të mirë”, shkroi Katy Perry në përshkrimin e videos.
Videoja u bë virale dhe shumë përdorues komentuan lëvizjet e ish-kryeministrit kanadez. Disa prej tyre e ironizuan për mënyrën e kërcimit, duke e cilësuar si dikush që “kërcen si lepur”.
“Justin Trudeau, ish-kryeministri i Kanadasë, po promovon këngën e re të Katy Perry-t duke kërcyer si lepur. Viti 2026 është i çmendur”, shkroi një përdorues, sipas Daily Mail.
Një tjetër komentoi me humor: “Ky djalë harroi se dikur ishte kryeministër i një vendi”, ndërsa një tjetër shkroi: “Si e ndryshon një lidhje një burrë, është e çmendur”.
Kishte edhe reagime më kritike ndaj videos. “Është turp që Trudeau bën diçka të tillë. Ai është shumë vite më i madh se ajo”, shkroi një përdorues. Një tjetër komentoi: “Ideja që ish-kryeministri i vendit të dytë më të madh në botë merr pjesë në një sfidë të Katy Perry-t në TikTok”.
Një tjetër komentues shkroi: “Sa i parëndësishëm është bërë Kanadaja si vend? Ky njeri ishte kryeministri i tyre dhe tani është një personazh dytësor në një video të Katy Perry-t”.
Katy Perry ka folur më herët për lidhjen e saj me Justin Trudeau në podcastin “Unfamous”, ku tha se dashuria e re në jetën e saj e ka transformuar.
“Tani kam dashuri në jetën time që më ka ndryshuar. Mendon se kur Beatles thonë ‘all you need is love’ është klishe, por klishetë janë klishe për një arsye”, u shpreh këngëtarja.
Ajo ka treguar gjithashtu se terapia dhe meditimi e kanë ndihmuar pas një “viti të vështirë”, gjatë të cilit përfundoi lidhjen nëntëvjeçare me aktorin Orlando Bloom.
© Panorama.al












