Të paktën 50 persona u plagosën në një tërmet të fuqishëm me magnitudë 7.1 ballë që goditi Japoninë jugperëndimore, me ndërtesa të shembura, rrugë të dëmtuara dhe mijëra shtëpi pa energji elektrike.
Dyshohet për dhjetëra viktima nën rrënojat e një qendre tregtare dhe një fabrike, por ende nuk ka të dhëna zyrtare.
“Ne ende po vlerësojmë shkallën e lëndimeve dhe dëmeve materiale, por më është thënë se ka tashmë disa persona të plagosur… ndërprerje të energjisë elektrike dhe zjarre në disa zona, rrugë dhe ura të dëmtuara dhe ndërtesa të shembura”, u tha kryeministrja japoneze Sanae Takaichi gazetarëve në zyrën e saj në Tokio.
“Mbi të gjitha, u bëj thirrje të gjithëve të marrin masa për të mbrojtur veten, siç është kërkimi i një vendi të sigurt.”
Një spital raportoi se kishte pranuar më shumë se 50 të plagosur, sipas transmetuesit shtetëror NHK. Më shumë se 10 shtëpi janë shembur dhe disa banorë janë bllokuar brenda katër prej tyre, sipas të njëjtit burim.
Disa persona që ndodheshin në një tren me shpejtësi të lartë në kohën e tërmetit u plagosën gjithashtu, sipas gazetës Nikkei.
Një tërmet i fortë me një magnitudë paraprake prej 7.1 ballë goditi Prefekturën Kumamoto në Japoninë jugperëndimore të hënën, tha Agjencia Meteorologjike e Japonisë (JMA). Dridhja, e cila goditi në orën 4:27 pasdite ishullin Kyushu, arriti nivelin maksimal (7) në shkallën “shindo”, e cila mat forcën me të cilën ndihen tërmetet, tha JMA.
イオンモール熊本で爆発音 多数が閉じ込めか けが人もhttps://t.co/cc3ru0syKJ#nhk_video pic.twitter.com/KTraNyJ1mR
— NHKニュース (@nhk_news) July 28, 2026
JMA fillimisht kishte lëshuar një paralajmërim për cunami deri në një metër të lartë, por më vonë e hoqi atë.
NHK transmetoi imazhe që tregonin ndërtesa që ishin shembur ose që ishin përfshirë nga flakët, çarje të mëdha në rrugë dhe një tren mallrash të dalë nga shinat. Midis ndërtesave të dëmtuara ishte një qendër tregtare, ku NHK tha se pati një shpërthim dhe njerëz të bllokuar, ndërsa rreth 20 persona rezultojnë të zhdukur. Më shumë se 150,000 njerëzve iu tha të strehoheshin në qendrat e evakuimit, tha agjencia e menaxhimit të fatkeqësive.
Qeveria japoneze ka lëshuar paralajmërime emergjente për tërmete për prefekturat Kumamoto, Nagasaki, Kagoshima, Fukuoka, Saga, Oita dhe Miyazaki, të gjitha në ishullin jugor të Kyushu. Japonia është një nga vendet më të prirura ndaj tërmeteve në botë, me një tërmet të regjistruar të paktën çdo pesë minuta.
Nuk janë zbuluar probleme të menjëhershme në termocentralet bërthamore në rajon, tha rregullatori bërthamor i Japonisë. Rreth 45,000 familje mbetën pa energji elektrike nga tërmeti në prefekturën Kumamoto, sipas kompanisë së shërbimeve Kyushu Electric Poëer, e cila tha se tre reaktorë bërthamorë në rajon ende po funksiononin normalisht.
Hekurudha JR Kyushu tha se kishte pezulluar shërbimet e saj, përfshirë trenat me shpejtësi të lartë. Aeroporti i Kumamotos mbylli pistën e tij, me linjat ajrore që devijuan ose anuluan fluturimet. Kompanitë e telekomunikacionit KDDI dhe Docomo thanë se shërbimet e telefonisë celulare u ndërprenë. Megjithatë, informacioni fillestar është qetësues, pasi nuk u zbuluan probleme në centralin bërthamor të Sendai-t.
Sipas një deklarate nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), Autoriteti Rregullator Bërthamor i Japonisë (NRA) raportoi se tërmeti nuk shkaktoi dëme ose probleme që ndikojnë në sigurinë e objekteve.
Centrali bërthamor i Sendai-t, i cili ndodhet rreth 100 kilometra nga epiqendra e tërmetit, mbetet plotësisht funksional, pa raportuar probleme operative.
Drejtori i Përgjithshëm i IAEA-së, Rafael Grossi, tha se agjencia po monitoron nga afër zhvillimet dhe do të vazhdojë të vlerësojë situatën në bashkëpunim me autoritetet japoneze.
© Panorama.al⚡️ BREAKING: Powerful 7.1-magnitude earthquake strikes Japan, tsunami warning issued
The first tsunami waves have already reached the coast. Around 45,600 households have been left without electricity. There are currently no reports of fatalities or major damage. It is the… pic.twitter.com/1uVvIlD1Pw — NEXTA (@nexta_tv) July 28, 2026












