Video “Meta-Prifti”, bllokohet ekspertimi

Oct 17, 2011 | 11:30
Sekuenca nga videoja Meta-Prifti

Një anomali teknike ka bllokuar përkohësisht ekspertizën që po realizohet në video-përgjimin e kryer ndaj Ilir Metës nga Dritan Prifti, në mars 2010. Tre ekspertët, Ardian Pollo, Ermal Zeqiri dhe Artur Rrahmani, të caktuar nga Gjykata e Lartë për të dhënë një mendim në lidhje me vërtetësinë e videos, kanë njoftuar Prokurorinë në lidhje me problemin teknik që ka dalë. Gjithçka ka të bëjë me programin që do të përdoret për të lexuar diskun e Prokurorisë, në të cilin është hedhur regjistrimi. Sipas burimeve të konfirmuara, gazeta “Panorama” mësoi mbrëmë se pasi kanë marrë 18 detyrat nga Gjykata e Lartë, ekspertëve u është dhënë në dorëzim edhe disku origjinal ku ndodhet video-regjistrimi. Disku në fjalë duhet të ruhet i paprekur për efekt prove, ndaj ekspertiza duhet të bëhet mbi një kopje apo klon të këtij disku. Për të bërë kopjimin e përmbajtjes së diskut është i nevojshëm një program, i cili duhet të jetë i licencuar, që të funksionojë në mënyrë të besueshme. Pikërisht për këtë shkak, grupi i ekspertëve ka ndërprerë punën përkohësisht dhe ka njoftuar Prokurorinë. Në komunikimin me organin e akuzës ekspertët kanë bërë të ditur se Prokuroria mund ta kopjonte vetë materialin, nëse zotëronte programin që kryen leximin e mandej kopjimin e materialit. Prokuroria ka kthyer përgjigje se nuk e ka këtë program të licencuar dhe në fund, sipas burimeve zyrtare, është vendosur që kopjimi të bëhet nga tre ekspertët. “Nuk ka pasur probleme në lidhje me ekspertizën. I vetmi diskutim që është bërë ka qenë ai për administrimin e materialit, pra, kopjimin nga origjinali do ta bëjë Prokuroria apo ekspertët”, kanë thënë mbrëmë burimet e gazetës “Panorama”.
Ekspertimi
Më 24 shtator 2011, Gjykata e Lartë ngarkoi tre ekspertët e fushës, Ardian Pollo, Ermal Zeqiri dhe Artur Rrahmani, me verifikimin e vërtetësisë së regjistrimit mes ish-zv.kryeministrit Ilir Meta dhe ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti. Ekspertëve iu la një muaj kohë për të gjetur datën e regjistrimit, mjetin e regjistrimit, mundësinë e ndërhyrjes, kopjimit apo përpunimit të video-përgjimit. Vendimi për të përsëritur ekzaminimin e videos ka ardhur pasi Gjykata e Lartë rrëzoi ekspertizën e një specialisti amerikan. Sipas Gjykatës, Prokuroria kishte shmangur Ministrinë e Drejtësisë në Tiranë në momentin e dërgimit të letërporosisë në SHBA, me të cilën ishte kryer ekspertiza e specialistit amerikan që konfirmoi vërtetësinë e videos, në shkurt të vitit 2011. Duke e konsideruar të pavlerësuar vërtetësinë e videos, Gjykata e Lartë caktoi një grup specialistësh shqiptarë që do të kryejnë verifikimet e nevojshme. Nga burimet e procesit është mësuar mbrëmë se konkluzionet e specialistëve të ngarkuar nga Gjykata do të paraqiten sipas afatit të vendosur nga trupi gjykues, më 24 tetor, në rast se palët në proces paraqiten.

Pyetjet e Gjykatës së Lartë
*A gjendet në orë regjistrimi i videos?
*Cila është ora dhe data e audio-regjistrimit?
*A mund të përcaktohet ora e shkarkimit në lap-top e videos?
*A ka ndërhyrje video dhe audio në video-regjistrimin “Meta-Prifti”?
*A mund të përcaktohet se me çfarë mjetesh është bërë shkarkimi?
*A mund të pastrohet video-regjistrimi nga zhurmat?
*Materialet e marra në kasetën DVC të programit “Fiks Fare” a janë autentike me ato që janë gjetur në orë dhe në lap-top-in e Priftit?
Gjykata e Lartë ka renditur 18 pyetje për dy ekspertët që kanë marrë përsipër verifikimin e videos. Pyetjet kanë të bëjnë me aspekte teknike të regjistrimit të bisedës mes Dritan Priftit dhe Ilir Metës.

Prifti në hetim për videon e dytë, dëshmitar tek e 3-ta
Ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, dëshmitar në gjyqin që po zhvillohet në Gjykatën e Lartë, është person në hetim në dosjen penale të hapur nga Prokuroria bazuar në videon e gjetur nga eksperti amerikan, i cili rikuperoi materialin e fshirë nga pajisjet e përgjimit. Më 9 shkurt 2011, në Prokurorinë e Përgjithshme në Tiranë eksperti amerikan dërgoi përfundimet e tij, në të cilat theksonte se në pajisjet që iu dhanë nga pala shqiptare, kompjuter lap-top, USB, ora përgjuese etj., ka arritur të rikuperojë disa materiale të fshira, veç videos ku ish-ministri i Ekonomisë shfaqej me Ilir Metën. Në këto materiale sipas eksperti amerikan, gjendej Dritan Prifti, i cili më 11 mars 2010, ishte takuar me ish-zv.ministrin Leonard Beqiraj, nga i cili ka marrë 70 mijë euro. Menjëherë pas këtij pohimi, Prokuroria e mori Priftin në hetim, madje kërkoi heqjen e imunitetit të tij. Por, eksperti amerikan ka gjetur në pajisje edhe një video të tretë, e cila është në hetim në Prokurorinë e Tiranës, për të cilën Prifti është dëshmitar.

Trazhgim Sokolaj

© Panorama.al

Te lidhura