Vetëm burgim

Dec 6, 2025 | 8:26

NGA FLORJAN KALAJA FLORJAN KALAJA

Në mendimin juridik penal shqiptar, gati 100 vjet më parë, konkretisht në vitin 1926, Dr. Terenc Toçi, i cili është, në dijeninë dhe hulumtimet e mia mbi literaturën e së drejtës në Shqipëri, autori i parë themelues i doktrinës juridike penale, në librin e tij “E drejta ndëshkimore”, ndër të tjera arsyeton si vijon: “Dijtunia e sotshme çfaqë gjithmonë dyshim mbi dobin e burgut për njerzët fajtorë qi nuk paraqesin rrezikshmëni por qi në burg munden me u prishë moralisht e munden me u ba të rrezikshëm. Dhe shumë nga ligjvusit, tue pa se pak ditë burgim nuk frigësojnë fajtorin por e përzinë me të dënuemit qi fajin e kan si zakon, vendosën se në disa rasa, siç thamë, ndalimi vuhet në shtëpi të vetë – sidomos për gra të ndershme, të rame në kodë Ndëshkimuer pa e humbë të drejtën e nderimit – ose në shtëpi qortimit a urtësimore, ashtu siç bahet për moshën e njomë. Posë këtyne urdhënimeve kemi të tjera, të cilat janë gjithnnji të këshillueme prej dijtunisë dhe të pranueme përgjithsisht prej ligjvusvet për me zavendësue me dobi shoqënore disa masa ndëshkimore; kështu që kemi pezullimin e dënimit, qoftimin gjyqësues dhe vështrimin policuer.” (faqe 161 – 162).

Kreu VI i projektit të Kodit të ri Penal rregullon mundësinë ligjore të zëvendësimit të dënimit të shkurtër me burgim, duke parashikuar gjithashtu edhe dënimet alternative. Në nenin 159 të projektit parashikohet se dënimet alternative do të jenë: 1) Liria e kontrolluar; 2) Gjysmëliria; 3) Qëndrimi në shtëpi; 4) Pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim dhe vënia në provë të të dënuarit; 5) Kushti detyrues për të hequr dorë nga përdorimi i alkoolit ose drogës; 6) Pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe detyrimin për kryerjen e një pune në interes publik; 7) pezullim të procedimit dhe vënie në provë të të pandehurit; 8) pagim të gjobës për kundërvajtjet penale; 9) qortim gjyqësor.

Objekti i shkrimit 8 të rubrikës “Dilema mbi Kodin e ri Penal” është pika 2 e nenit 157 të projektit, e cila prezantohet për herë të parë në llojin e saj në historinë 113- vjeçare të ekzistencës së shtetit shqiptar. Kjo pjesë e dispozitës ndalon kategorikisht zëvendësimin e dënimeve deri në 5 vjet burgim që cakton gjykata me dënime alternative, duke u konkluduar se e vetmja mundësi dënimi penal për këto subjekte është dënimi me burgim. Fillimisht lidhur me kushtet ndaluese të zbatimit të zëvendësimit të dënimit të shkurtër me burgim dhe dënimeve alternative e nis rregullimin neni 156, dispozitë e cila në mënyrë të përgjithshme vendos rregullin e përbotshëm se nuk mundet të ketë të tilla vendimmarrje nëse arsyet publike të sigurisë së rendit juridik cenohen. Më tej, sikur të mos mjaftonte ky parashikim që i jep një diskrecion të madh gjykatës rasti pas rasti për të gjykuar kërkesa të tilla, pika 2 e nenit 157 e projektit parashikon se: “2. Personat që janë dënuar për vepra penale të shoqëruara me përdorimin e dhunës fizike a psikike, krime seksuale kundër të miturve, apo për dhunë në familje, apo në bashkëpunim në forma të posaçme në organizata, grupe të strukturuara kriminale apo banda, apo korrupsionit të të gjitha llojeve, apo për vepra penale kundër sistemit të drejtësisë dhe rendit publik, apo krime financiare dhe në fushën e taksave, tatimeve dhe shoqërive tregtare, nuk mund të përfitojnë nga mundësia e zëvendësimit të dënimit të shkurtër me burgim me një lloj tjetër dënimi”.

Sikur të mos mjaftonin rregullimet e nenit 156 dhe 157 të projektit, grupi i punës vendos si përsërisë edhe 7 herë të tjera këto rregulla ndaluese me karakter aprioristik dhe kategorik. Konkretisht përsëritje të tilla konstatohen: (i) në nenin 158/2 për zëvendësimin e dënimit për të rinjtë; (ii) në nenin 161/2 për gjysmëlirisë; (iii) në nenin 161/7 sërish për gjysmëlirisë; (iv) në nenin 162/3 për qëndrimin në shtëpi; (v) në nenin 163/3 pikën 3 të nenit 163 për vënien e të dënuarit në provë; (vi) në nenin 166/3 për punën në interes publik; (vii) në nenin 177 për lirimin me kusht.

Së pari, vlerësoj se këto 7 shembuj përsëritje të një rregulli të njëjtë nuk pajtohet me standardet e gjithëpranuara të një teknike legjislative normale dhe të arsyeshme nëpër vendet e qytetëruara.

Kështu nuk ka asnjë nevojë që të ketë 7 parashikime të njëjta në dispozita të shpërndara të Pjesës së Përgjithshme ndërkohë që do të mjaftonte një rregullim i vetëm i tillë, konkretisht ose në nenin 156 ose në nenin 157 të projektit. Me kaq ky rregull do të zbatohej në secilin rregullim të mëtejshëm të posaçëm të zëvendësimit të dënimit me burgim. Sikurse e kam evidentuar në vijimësi, kjo mënyrë e hartimit të projektit shton fondin e dispozitave fiktive dhe firove normative që e kanë shëndoshur artificialisht draftin fjalëshumë të 952 dispozitave.

Së dyti sjell në vëmendje se, ndërkohë që po hulumtoja mbi draftin, konstatova fillimisht se ka diçka që nuk shkon me rrethanën ndaluese kategorike të parashikuar nga neni 157/2, konkretisht me ndalimin e përfitimit nga zëvendësimi i dënimit me burgim dhe dënimet alternative të gjithë personave që janë dënuar për vepra penale të kryera në formacione të bashkëpunimit të posaçëm. Ndërkohë që neni 155/1 zëvendësimin e dënimit me burgim me lirinë e kontrolluar e ka parashikuar për dënimet deri në tre vjet burgim; ndërkohë që neni 158/1 ka parashikuar zëvendësimin e dënimit me burgim për të rinjtë të dënimit me burgim deri në tre vjet burgim; ndërkohë nenit 161/1 ka parashikuar zëvendësimin e dënimit deri në tre vjet burgim me dënimin alternativ të gjysmëlirisë; ndërkohë që pika 162/1 ka parashikuar se për dënimet që caktohen deri në tre vjet burgim apo që kanë mbetur për t’u vuajtur deri në tre vjet burgim mundet të zëvendësohen me dënimin alternativ të qëndrimit në shtëpi; ndërkohë që neni 166/1 parashikon se për vendimet e caktimit të dënimit deri në dy vjet burgim mund të zëvendësohen me dënimin alternativ të pezullimit të dënimit me burgim dhe urdhërimin e kryerjes së një punë në interes publik; pika 4 e nenit 3 të këtij projekti parashikon se do të vlerësohen si krime të rënda veprat për të cilat dispozita penale parashikon mundësinë e dënimit me burgim jo më pak se sa katër vjet. Kjo do të thotë se subjektet e zakonshme autorë të veprave penale të kryera në formacionet e krimit të organizuar nuk kanë asnjë mundësi ligjore të aksesojnë dënimet alternative të listuara më lart dhe as t’u zëvendësohet dënimi i shkurtër me burgim, pasi nuk ka për to asnjë të dënim deri në tre vjet burgim. Rregulli sakaq rezulton se i është kushtuar situatave të pamundura për të ndodhur.

Natyrshëm vetështrohet pyetja se për cilët subjekte autorë të veprave penale të kryera në bashkëpunim të posaçëm e ka fushën e zbatimit 157/2 e projektit të Kodit të ri Penal?! Cilët autorë ka patur ndër mend Grupi i Punës kur ka hartuar këtë parashikim rishtar penal?! Me keqardhje konstatoj se përgjigja që i jepet kësaj pyetje është se fusha e zbatimit e pikës 2 të nenit 157 shtrihet me karakter mbetës vetëm tek subjektet e posaçëm të bashkëpunëtorëve të drejtësisë dhe të miturit në konflikt me ligjin. Për problematikën e përjashtimit të bashkëpunëtorëve të drejtësisë nga mundësia e zëvendësimit të dënimit me burgim do të kushtoj një shkrim tjetër. Por sot do të trajtoj vetëm problematikën e të miturve në konflikt me ligjin dhe të rinjve dhe më tej dhe autorëve të zakonshëm, për të cilët neni 157/2 i projektit parashikon nënkuptimin implicit dhe eksplicit se dënohen vetëm me burgim, pavarësisht sa i shkurtër caktohet ai, duke i përjashtuar ato sakaq nga të gjitha dënimet alternative dhe vetë zëvendësimi i dënimit të shkurtër me burgim.

Vlerësoj se përjashtimi aprioristik ligjor i të miturit në konflikt me ligjin, që dënohet me burgim deri në 5 vjet për vepra penale të kryera në kuadër të formacioneve kriminale të bashkëpunimit të posaçëm, nga zëvendësimi i dënimit me burgim deri në 5 vjet apo nga alternativat e dënimit me burgim të sjella në vëmendje më lart cenon drejtpërdrejtë nenin 25 dhe pikën 1 të nenit 54 të Kushtetutës dhe nenin 3 të KEDNJ, konkretisht detyrimin kushtetues dhe konventor të shtetit për të mosparashikuar dhe për të moscaktuar dënime penale mizore, çnjerëzore apo poshtëruese ndaj të miturve dhe detyrimin kushtetues të shtetit për të mbrojtur në mënyrë të posaçme subjektet e mitur edhe në procesin penal. Më tej sjell në vëmendje se ky përjashtim ligjor aprioristik cenon të gjitha standardet ndërkombëtare të detyrueshme për Shqipërisë si pasojë e ratifikimit me ligj të marrëveshjeve ndërkombëtare me lëndë rregullimi miturit. Secila nga këto akte parashikojnë se dënimi me burgim për të miturit jepet si mundësi e fundit, pasi të konkludohet se asnjë masë tjetër shmangie nga dënimi me burgim nuk mund të jetë e përshtatshme (ultima ratio). Ky parashikim normativ, në tentativë për t’u bërë ligj, lë pa veprim parimin e sanksionuar në nenin 14 dhe 108/3 të KDPM, i cili, sipas standardeve universale të kombeve të qytetëruara. Krejt ndryshe nga këto imperativa kombëtarë kushtetues dhe të së drejtës ndërkombëtare të detyrueshme (shih nenin 5, 116, 122 dhe 123 të Kushtetutës), projekti i Kodit të ri Penal urdhëron gjykatën, që ndaj të miturit në konflikt me ligjin, në të gjitha rastet kur ai kryen vepra penale në kuadër të bashkëpunimit të posaçëm dhe caktohet një dënim deri në 5 vjet burgim, të jepet vetëm dënimi me burgim dhe asnjë dënim tjetër zëvendësues apo dënim alternativ nuk mund të jetë i mundur teorikisht dhe praktikisht që të zbatohet. Kjo është e papranueshme.

Së treti, sjell në vëmendje se rrethanat kategorikisht ndaluese në ligj të zëvendësimit të dënimit me burgim apo të dhënies së dënimeve alternative, përveç veprave penale të krimit të organizuar, janë edhe: (i) veprat penale të shoqëruara me përdorimin e dhunës fizike a psikike; (ii) krimet seksuale kundër të miturve; (iii) veprat penale të dhunës në familje; (iv) veprat penale të korrupsionit; (v) veprat penale kundër sistemit të drejtësisë dhe rendit publik; (vi) krimet financiare; (vii) krimet në fushën e taksave, tatimeve; (viii) krimet në veprimtaritë e shoqërive tregtare. Thënë ndryshe, për të gjitha dispozitat e Pjesës së Posaçme të projektit të Kodit të ri Penal për të cilat mund të caktohet një dënim deri në pesë vjet burgim nga gjykata, rezulton se Grupi i Punës ka vendosur të suprimohet kategorikisht dhe në mënyrë aprioristike mundësia e zëvendësimit të dënimit me burgim me një dënim alternativ.

Nga ana tjetër vlerësoj se neni 157/2 i projektit është njëlloj e papajtueshme me nenin 25 dhe 54 të Kushtetutës, qoftë për të miturit në konflikt me ligjin dhe qoftë për të rinjtë (18 deri në 21 vjeç), gratë shtatzëna dhe nënat e reja, të cilët privohen nga të gjitha dënimet alternative në procesin penal. Pika 1 e nenit 54 të Kushtetutës, përveç të miturve, merr në mbrojtje të posaçme të shtetit edhe të rinjtë, edhe nënat e reja dhe gratë shtatzëna, duke u nënkuptuar se këto subjekte të posaçme kushtetuese duhet të meritojnë mbrojtje të veçantë edhe në procesin penal.

Më tej vlerësoj se, me të njëjtin gravitet të papajtueshëm me nenin 25 të Kushtetutës dhe të të gjitha standardeve ndërkombëtare të detyrueshme për Shqipërinë, paraqitet neni 157/2; neni 158/ 2; neni 161/2/7; neni 162/3; neni 163/3; dhe neni 166/3 të projektit të Kodit të ri Penal, në pjesën që ndalesat kategorike dhe aprioristike ligjore të zëvendësimit të dënimit deri në 5 vjet burgim me dënime alternative i suprimon për cilindo të dënuar. Ndryshe nga çdo ligj penal material europian që kam konsultuar në vijimësi dhe në kundërshtim me çdo rekomandim të Këshillit të Europës për masat komunitare penale, Grupi i Punës ka vendosur që të suprimojë dënimet alternative, jo mbi bazën e kushteve dhe kritereve të përgjithshme ligjore dhe kushteve dhe kritereve individuale të të dënuarit, por mbi bazën e ndalesave absolute ligjore me tituj veprash penale. Kodi Penal në fuqi këtë gjë e ka bërë vetëm për lirimin me kusht por jo për alternativat e tjera të dënimit me burgim. Projekti i Kodit të ri Penal këtë gjë e bën për të gjitha dënimet alternative. Pa dyshim që edhe në këtë drejtim projekti i Kodit të ri Penal përbën ligjin më represiv në Shqipëri.

Për të njëjtat argumente të parashtruara më lart mbi cenimin e nenit 25 dhe pikës 1 të nenit 54 Kushtetutës dhe të çdo standardi të detyrueshëm ndërkombëtar kundrejt Republikës së Shqipërisë për individualizimin e përgjegjësisë penale për të miturit në konflikt me ligjin, të rinjtë, nënat e reja, gratë shtatzëna por edhe për cilindo person tjetër të dënuar, vlerësoj se neni 157/2 i projektit të Kodit të ri Penal, me të gjitha përsëgjashtjet e tij në dispozitat pasuese, janë të papranueshme. Ndaj vlerësoj se nuk ka vend kushtetues dhe konventor, jo vetëm për këtë automatizëm ligjor penal të prezantuar në mesdekadën e tretë të shekullit të XXI dhe në mijëvjeçarin e tretë të humanëve, por për asnjë automatizim ligjor penal. Ky projekt, sa i takon këtyre rregullimeve, fshin, me apo pa ndërgjegje, 99 vjet qytetërim dhe humanizim të së drejtës penale në Shqipëri.

* Autori, gjyqtar pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

/Gazeta Panorama

© Panorama.al

Te lidhura