Vërtetimet false, nëntë azilkërkues nën akuzë

Oct 30, 2011 | 12:54
Foto ilustrive

Nëntë azilkërkuesit e kthyer tri ditë më parë nga Belgjika, por edhe të tjerët që do të vijnë më pas, do të ndiqen penalisht me akuzën e përdorimit të dokumenteve që duhet se janë të falsifikuara. Policia e Shtetit ka referuar në Prokurori dosjet penale ndaj nëntë shtetasve shqiptarë, të cilët me një avion charter u kthyen nga Belgjika. Duke përfituar nga udhëtimi pa viza në zonën “Shengen” me pasaporta biometrike, ata kishin paraqitur në Belgjikë vërtetime false sikur ishin në hasmëri në Shqipëri dhe mandej kishin kërkuar azil politik në këtë vend. Menjëherë pas kthimit në Rinas, Policia Kufitare i shoqëroi nëntë të riatdhesuarit, të cilët u morën në pyetje në lidhje me udhëtimin e tyre dhe me kërkesat për azil. Pasi pranuan se kishin përdorur vërtetime false, dhe kishin paguar shuma parash për përfitimin e këtyre dokumenteve, azilkërkuesit u lanë të lirë, ndërkohë që materialet ndaj tyre u referuan në Prokurori për ndjekje penale. Policia e Shtetit ka marrë deklarime nga azilkërkuesit për personat që kanë lëshuar vërtetimet e rreme, ndërkohë që nga Belgjika janë sjellë dokumentet që u janë bllokuar shtetasve shqiptarë kur kërkuan azil. Pikërisht këto dokumente (pasaportat dhe vërtetimet false), janë referuar në Prokurori në dosjet penale të gjashtë personave nga Shkodra dhe tre të tjerëve nga Kukësi dhe Hasi. Tri ditë më parë, pas riatdhesimit të nëntë azilkërkuesve, shefi i Komisariatit të Policisë Kufitare të Rinasit, Gëzim Prebibaj, theksoi se përveç strukturave të Policisë Kufitare dhe Migracionit, janë të angazhuara edhe strukturat Kundër Krimit Financiar, të cilat do të investigojnë në lidhje me veprimtarinë e mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve. Ndërkohë, dje një zyrtar i Policisë tha se nëntë shtetasit e kthyer nga Belgjika dhe gjithë të tjerët do të ndiqen penalisht për përdorim të dokumenteve false. “Informacionet janë se ata kanë dhënë një shumë parash për t’u pajisur me vërtetimet e gjakmarrjes. Këta persona e kanë ditur se vërtetimi paraqet rrethana të rreme dhe e kanë përdorur dokumentin në fjalë”, kanë thënë burimet nga Policia. Sipas tyre, vërtetimet false të paraqitura në Belgjikë janë dërguar sërish në Tiranë dhe janë vënë në dispozicion të hetimit. Sipas drejtorit belg për Azilin dhe Migracionin, muajt e fundit, 240 shtetas shqiptarë, që kanë udhëtuar pa viza në Belgjikë, kanë kërkuar azil atje, duke paraqitur vërtetime të rreme me pretendimin se janë në hasmëri në Shqipëri dhe jeta e tyre është në rrezik. Krahas hetimit për azilkërkuesit që kanë përdorur vërtetimet false, Policia dhe Prokuroria kanë nisur hetimet edhe për personat që i kanë dhënë dokumentet në fjalë. Deri tani dy krerë komunash e bashkish janë referuar për ndjekje penale, ndërkohë që po dokumentohen rastet e kryepleqve, krerëve të komunave e bashkive që kanë kryer të njëjtin veprim, duke lëshuar vërtetime false. Policia ka thënë se persona të caktuar i kanë mashtruar qytetarët në Shqipëri dhe në Belgjikë, duke u thënë se me vërtetime të tilla false mund të përfitojnë azil politik.

2-4 mije
euro mësohet se kanë qenë shumat që u janë kërkuar qytetarëve për një vërtetim të falsifikuar gjakmarrjeje. Vërtetimi në fjalë lëshohet njëherë nga njësia e pushtetit vendor dhe më pas nga shoqatat e pajtimit të gjaqeve

5 vjet
“non grata” në gjithë vendet e zonës “Shengen” janë shpallur azilkërkuesit që kanë thyer rregullat e udhëtimit dhe kanë kërkuar azil. Sipas rregullores, udhëtimi pa vizë nuk mund të përdoret për azil apo për punësim

Trazhgim Sokolaj

© Panorama.al

Te lidhura