Veriu i Kosovës është kthyer në një temë alarmuese për të gjitha palët e përfshira, pasi reagimi i serbëve të nxitur nga strukturat paralele po bëhet gjithnjë e më agresiv. Gjatë një aksioni të KFOR-it në Veri, të mërkurën në mbrëmje për heqjen e barrikadës te vendi i quajtur “Kërshi i Dudit”, qindra serbë të vendosur në barrikada i kanë sulmuar ata me gurë dhe mjete të forta. Është raportuar se ka pasur edhe të shtëna. Si rezultat, 21 ushtarë nga trupat paqeruajtës, të cilët thuhet të jenë të kontingjentit polak dhe hungarez, janë plagosur dhe dy prej tyre janë në gjendje të rëndë. Lajmin për plagosjen e ushtarëve të KFOR-it e ka konfirmuar zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki. “Aksioni i së mërkurës ka qenë plotësisht në përputhje me mandatin e KFOR-it për të garantuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes”, ka deklaruar zëdhënësi. Nga pala serbe është raportuar se disa serbë kanë kërkuar ndërhyrje mjekësore për shkak të gazit lotsjellës, por nuk është saktësuar numri i tyre. Pas përshkallëzimit të situatës, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka paralajmëruar se përdorimi i forcës mund të jetë i paevitueshëm në Veri të vendit. “Duket se pa përdorim të dhunës nuk do të mund të ketë pastrim të rrugëve, sepse përditë tentimet për të larguar barrikadat po përcillen me sulm ndaj ushtarëve”, ka thënë Rexhepi. Ai u shpreh skeptik sa i takon mundësisë së KFOR-t për ndërmarrjen e operacioneve të heqjes së barrikadave në muajt dhjetor dhe janar, me pretendimin se në këtë periudhë do të jetë më e lehtë, pasi për shkak të kushteve atmosferike, njerëzit do të largohen. “Ata mund ta mendojnë kohën e ftoftë si opsion, por serbët atje kanë sistem alarmi dhe aktivizohen shumë shpejt”, theksoi Rexhepi. Kjo është herë e dytë që ushtarët e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë sulmohen fizikisht nga serbët dhe lëndohen në aksionet e tyre. Pak javë më parë, katër ushtarë të KFOR-it, të cilët ishin të kontingjentit amerikan, u plagosën në Veri të Kosovës, ndërsa po përpiqeshin të lironin rrugën nga barrikadat serbe, të vendosura ilegalisht në rrugët kryesore dhe dytësore. Barrikadat në Veri të Kosovës janë vendosur nga serbët që më 25 korrik, kur qeveria kosovare vendosi të marrë nën kontroll pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinë, në kufi me Kosovë. Lëvizja shkaktoi incidente të forta dhe u bë problem nga mbështetësit e Serbisë në OKB, ku Kosova për këtë rast, që u konsiderua një lëvizje e njëanshme, nuk mori as mbështetjen e Bashkimit Europian. Megjithatë, qeveria e Kosovës e konsideroi këtë hap, edhe gjatë diskutimeve në Parlament, si në përputhje me Kushtetutën e vendit. Beteja kundër barrikadave serbe deri tani ka dështuar, dhjetëra prej tyre, me gurë, drurë, goma makinash madje, edhe beton e tela me gjemba, pengojnë të gjitha rrugët e kalimit drejt Serbisë, praktikisht duke e shkëputur pjesën e Veriut të banuar me serbë e duke ia “bashkëngjitur” atë territorit serb. Megjithatë, ushtarë të KFOR-it dhe doganierë të EULEX-it mbeten në detyrë në pikat reale kufitare mes dy vendeve, në Bërnjak dhe Jarinë, por kalimi i tyre po realizohet vetëm në mënyrë ajrore. Gjatë orëve të para të së enjtes, në Veri të Kosovës janë dëgjuar edhe shpërthime. Ministri kosovar i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka akuzuar Serbinë për tensionimin e situatës së sigurisë në Veri të Kosovës. Në një intervistë për të përditshmen austriake “Die Presse”, Hoxhaj theksoi se në veri të Mitrovicës nuk ka konflikt mes qeverisë e serbëve që jetojnë atje. Hoxhaj akuzoi strukturat paralele serbe, që sipas tij po mbajnë peng qytetarët në Veri të vendit. “Strukturat ilegale mbajnë peng qytetarët në Veri. Këto struktura mbështeten dhe financohen nga Beogradi”, deklaroi Hoxhaj.
Qeveria kosovare
Qeveria e Kosovës e ka dënuar ashpër dhunën e strukturave paralele serbe kundër ushtarëve të KFOR-it. “Të gjithë ato struktura kriminale në Veri, që pengojnë lirinë e lëvizjes dhe konfrontohen me institucionet e Kosovës dhe me trupat paqeruajtëse të NATO-s, shumë shpejt do të dalin para Drejtësisë dhe do të marrin dënimin e merituar”, thuhet në deklaratën e qeverisë së Kosovës. Me tej, thuhej se qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë me përkushtim të lartë jetësimin e plotë të vizionit të saj për hapjen e perspektivës së zhvillimit ekonomik.
Qeveria serbe
Qeveria e Serbisë e ka dënuar fort incidentin në barrikadën në pjesën veriore të Kosovës, por përkundër të gjithëve, kritikat e saj shkojnë vetëm për forcat e KFOR-it. “Qeveria e Serbisë i fton misionet ndërkombëtare në Kosovë, e veçanërisht pjesëtarët e KFOR-it, që ta sigurojnë dhe mbrojnë popullatën”, tha zëdhënësi Milivoje Mihajlloviç, në një konferencë për shtyp në Beograd. Ai ka theksuar se qeveria i ka ftuar banorët lokalë dhe KFOR-in që të mos e përdorin dhunën dhe t’u shmangen provokimeve e incidenteve.
Jahjaga
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, duke dënuar sulmin e një grupi qytetarësh të nxitur dhe të mbështetur nga strukturat kriminale, mbi pjesëtarët e KFOR-it në fshatin Rudar të komunës së Zveçanit i konsideroi akte të tilla të patolerueshme. Ajo theksoi se këto akte do të marrin përgjigje ligjore, sepse askush nuk mund të bllokojë dhe të pengojë lëvizjen e lirë të qytetarëve, si një vlerë e demokracisë në botë. Jahjaga i ka telefonuar kreut të KFOR-it, Erhard Dreus, duke shprehur shqetësimin për sulmin e së mërkurës mbrëma kundër trupave të tij nga serbët e Veriut.
Daçiç: Duhet të shkojmë në luftë për Kosovën
Në një deklaratë që ka ngritur polemika dhe dyshime se ku do të drejtohet historia e Veriut të Kosovës, ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç, ka deklaruar se Serbia nuk e konsideron se e ka humbur Kosovën, por do të shkojë edhe në luftë për të, nëse është e nevojshme. Ai akuzoi Kryeministrin kosovar, Hashim Thaçi, se po sulmon serbët e Veriut, ndërkohë që në të vërtetë sulmet në pjesën veriore të Kosovës po kryhen vetëm nga strukturat paralele serbe, me rastin më të fundit ku u plagosën dhjetëra paqeruajtës ndërkombëtarë. “Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, duhet të dijë se duke sulmuar serbët në Kosovë, ai po sulmon edhe Beogradin”, tha Daçiç, i cili është gjithashtu zv/kryeministër i Serbisë. Ai ka shtuar se Serbia nuk mund të qëndrojë e qetë dhe të shikojë këtë. Të mërkurën, Daçiç është shprehur se askush në serbi nuk duhet të thotë se Kosova është e humbur dhe se nuk mund të shkohet në luftë për të. “Një linjë e kuqe për Beogradin është sulmi i armatosur i Hashim Thaçit mbi serbët në Kosovë dhe Metohije”, tha ai. Daçiç tha se refuzimi i mundësisë për luftë, është një mesazh i gabuar për Thaçin, sepse “një balancë frike” ishte e nevojshme për sigurinë e rajonit. Analistët serbë janë shprehur se mesazhi i Daçiç nuk ishte i aplikueshëm për situatën aktuale në të cilën ndodhet Serbia.
Nënshtetësia ruse
Presidenti i Rusisë, Dimitri Medvedev, ka urdhëruar Ministrinë e Punëve të Jashtme që të studiojë kërkesat e mbi 20 mijë serbëve të Kosovës për të marrë shtetësinë ruse. Përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në NATO, Dimitri Rogozin, tha se “Rusia duhet të mbështesë popullin e afërt shpirtëror, i cili ndodhet në pozita të vështira”. Ai e konsideroi “një situatë të paprecedentë, që rreth 20 mijë serbë të Kosovës kërkojnë njëherësh shtetësi ruse. Reagimi i Rusisë do të jetë eksperimental”, tha Rogozin.











