Veriu i Kosovës, shtohen barrikadat dhe rojat serbe

Oct 5, 2011 | 13:03
Autoblind i KFOR-it

Barrikadat në Veri janë forcuar dhe po ashtu është shtuar edhe numri i serbëve të pranishëm në to, të gatshëm për të kërcënuar me tension të ri në zonë. Numri i serbëve është rritur pasi kanë hyrë edhe studentët nga Serbia, të cilët studiojnë në Universitetin e Mitrovicës. Por, autoritetet kosovare më parë kanë paralajmëruar se bashkë me studentët, të pajisur me kartat e tyre, hyjnë edhe ekstremistë serbë të gatshëm për urdhra nga ekstremistët brenda Beogradit. Duket se serbët janë organizuar mirë në “mbrojtjen” e barrikadave, duke mos i lënë asnjë shans KFOR-it të ndërhyjë pa shkaktuar një tjetër rebelim si ai i ditëve më parë, ku u plagosën katër ushtarë nga forcat paqeruajtëse ndërkombëtare sepse “guxuan” të hiqnin një barrikadë. Sipas “Kosovapress”, ruajtja e barrikadave po bëhet sipas orarit të caktuar nëpër organizatat e ndryshme të komunave veriore të vendit ku ata punojnë. “Njerëzit kanë ngritur tenda pranë barrikadave dhe kanë futur stufa për ngrohje brenda, ndërkohë që janë të vendosur të qëndrojnë nëpër këto pika edhe gjatë dimrit, derisa të largohen doganierët dhe policët e Kosovës nga pikat kufitare”, citojnë burimet e “Kosovapress”. Qarkullimi në drejtim të Serbisë dhe anasjelltas po zhvillohet përmes rrugëve alternative.

© Panorama.al

Te lidhura