Serbët nuk e kanë respektuar vendimin KFOR-it për të larguar barrikadat e tyre që nga mëngjesi i së martës, duke sfiduar paqeruajtësit ndërkombëtarë, të cilët, edhe pse thanë se do të ndërhynin, ende nuk kanë bërë asnjë lëvizje. Dje, serbët janë mbledhur akoma më të shumtë në numër për t’i mbrojtur barrikadat prej paqeruajtësve. Komandanti i KFOR-it, Erhard Dreus, kishte kërkuar që 16 barrikadat e serbëve në rrugët veriore të Kosovës të hiqeshin të hënën. Më pas, me kërkesë të serbëve, ai e shtyu ultimatumin deri të martën. Ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç, i bëri thirrje KFOR-it të shtynte edhe njëherë afatin e dhënë serbëve, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje dhe paralajmëroi se largimi me forcë i bllokimeve të rrugëve do të rriste tensionin.











