Për 50 vjet ai ishte rebeli, revolucionari, ai që ngrihej kundër borgjezisë, kishave e xhamive, një pararendës i realizmit socialist dhe më pas, për 20 vjet të tjera, ai, i lëni në hije, si çdo gjë tjetër që gjatë diktaturës ishte lëvduar. Sot mbushen 100 vjet nga lindja e Migjenit (Millosh Gjergj Nikolla), poetit që jetoi pak, por dha shumë. Një poet dhe prozator i pakohshëm, veprat e të cilit duket se i përkasin çdo brezi, po aq emocionuese çdo herë, si të ishte leximi i parë. Por fatkeqësisht, i keqpërdorur dhe keqinterpretuar në të gjitha sistemet. Për fat, institucionet kulturore janë impenjuar të përkujtojnë këtë përfaqësues të denjë të letrave shqipe. Mbrëmje poetike, balet, promovime librash. Por edhe një konferencë shkencore që do të zhvillohet sot në sallën “Black box” të Universitetit të Arteve, si një bashkëpunim mes Qendrës Studimore Albanologjike dhe Departamentit të Letërsisë, në Fakultetin e Histori-Filologjisë. E titulluar “10 vjet me Migjenin”, kjo konferencë nuk është thjesht një përkujtimore rutinë, e cila nuk do të duhej të mungonte në rastin e poetit e shkrimtarit. Por është një tentativë për t’iu qasur kësaj figure, ashtu siç e ka merituar prej vitesh, por është lënë në hije për arsye jashtëletrare. Sipas shefes së Departamentit të Letërsisë pranë Fakultetit të Histori-Filologjisë, Dhurata Shehrit, rrethanat jashtëletrare të procesit letrar shqiptar, që nga koha kur Migjeni botoi poezinë e parë e deri vonë, e kanë deformuar veprën e tij, duke e zhvendosur vëmendjen nga teksti, një rikthim tek i cili është i nevojshëm sot. “Gjatë komunizmit, vepra e Migjenit u lexua si pararendëse e realizmit socialist, si për të pohuar zanafillat letrare të një metode joletrare, por propagandistike. Nxënësit në shkolla, studentët në universitet, mësuesit, por edhe studiuesit mësuan dhe u mësuan me Migjenin “socialist”, duke “harruar”, “anashkaluar”, groposur letërsinë e vërtetë të Migjenit. Më pas, pas rënies së diktaturës, për faj të modelit të leximit të deformuar të diktaturës, Migjeni u ndje i padëshiruar, i papërshtatshëm me modelin e ri, nganjëherë u shpall si antimodel”, thotë Shehri, teksa shton se konferenca e sotshme është një lloj ftese që i drejtohet lexuesit shqiptar për të lexuar veprën e Migjenit, “poetit ndoshta më të vetmuar në letrat shqiptare”.
Kumtesat
Dhe një shembull rikthimi tek teksti dhe trajtimi i Migjenit, vetëm si një autor i letërsisë shqipe, është konferenca, ku studiues të njohur shqiptarë do të ofrojnë qasje të reja mbi veprën e Migjenit, si autor i “poetikës së skandalit”, të raportit të tij me kristianizmin, pozicionin e tij në sistemin letrar shqiptar, risitë formale të veprave të tij, madje edhe krahasime të veprës së tij me autorë të huaj. Pas fjalëve përshëndetëse të rektorit të QSA-së, Ardian Marashit dhe shefes së Departamentit të Letërsisë, Dhurata Shehri, do të mbahen 11 kumtesa, ndër të cilat: “Migjeni: ndërtimi i poetikës së skandalit” nga Persida Asllani, “Nga simbolizmi tek ekspresionizmi: letërsi e art vizual te Lasgushi e Migjeni” nga Laura Smaqi, “Teksti biblik në veprën e Migjenit” nga Shaban Sinani, “Migjeni dhe kristianizmi-një debat i hapur” nga Kastriot Gjika, “Migjeni në sistemin letrar shqiptar mes dy luftërash” nga Eldon Gjika, “Migjeni mes leximit të brendshëm e të jashtëm” nga Gazmend Krasniqi, “Migjeni në arkivat familjarë të Tivarit”, nga Ardian Marashi etj. Pas trajtesave shkencoreve do të vijojë performanca artistike “Vrasja e trumcakut”, me regji të Stefan Çapalikut dhe interpretim të studentëve të Universitetit të Arteve.
Poezi dhe muzikë
Një përvjetor për Migjenin nuk mund të kuptohet pa krijimtarinë e tij. Sot, në Teatrin Kombëtar, nën regjinë e Vasjan Lamit, vjen për publikun koncerti poetik “Poema migjeniane”, nën interpretimin e artistëve Yllka Mujo, Fatos Sela, Bujar Asqeriu, Suela Konjari dhe Dritan Boriçi. Aktorët do të shoqërohen nga kuarteti “Akustika”. Ndërsa në një tjetër ambient, në sallën “Tefta Tashko Koço”, të MTKRS-së, pas një periudhe të gjatë zhytjeje në veprën e Migjenit, studiuesi Behar Gjoka sjell për lexuesin veprën e tij më të fundit studimore “Migjeni në pakohësi”, botuar nga “West Print”. Por, aktivitetet kushtuar Migjenit nuk do të mbyllen sot. Nesër, “Migjeniania”, një spektakël i fjalës, muzikës e lëvizjes, ngjitet sërish në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Me koreografi të mjeshtrit Agron Aliaj, muzikë të Gjon Simonit, skenografi e kostumografi të Genc Shkodranit, interpretojnë solistët dhe trupa e baletit të TKOB-së. Fjala poetike vjen nën interpretimin e aktorit Sokol Angjeli.
ALMA MILE











