Venera e ‘’The voice’’: Kjo ishte fitorja ime e tretë, por mbetet më e bukura

Feb 3, 2013 | 8:11

Synimi i saj ka qenë finalja, edhe pse deri më tani ishte vlerësuar nga disa juri profesioniste. Venera Lumani nuk ndaloi me kaq duke arritur kështu finalen, madje edhe kupën e ”The voice of Albania”. Vajza nga Struga e Maqedonisë, studente në Universitetin ”Shën Kirili & Metodi” në Shkup, rrëfen për gazetën “Panorama” rrugëtimin e saj dhe sakrificat që ka bërë deri në fund.
Ka qenë në synimet tuaja fitorja e garës?
Sigurisht që po, për të qenë e sinqertë me veten dhe me të tjerët do të thosha se është shumë e rëndësishme të marrësh pjesë në secilën garë të kësaj rëndësie, por edhe më e bukur kur del fitimtare nga ajo dhe kur askush nuk e konteston fitoren tënde.
Është ky kompeticioni i parë në të cilin keni marrë pjesë?
Jo, nuk është i pari, por për mua më i bukuri dhe më i dashuri. Unë kam marrë pjesë në Star Akademi, ku u vlerësova si më e mira nga juria profesioniste me në krye prof. Agim Krajkën dhe në një garë tjetër tepër të fortë në Maqedoni si New Stars, ku fitova çmimin e parë dhe nga juria dhe nga publiku. Te kjo e dyta, ndonëse ishte garë tipike maqedonase, unë disa herë u prezantova me këngë nga artistët shqiptarë.
Cilat ishin parashikimet deri në fund dhe çfarë prisnit?
Të them të vërtetën, si çdokush tjetër edhe unë e njoh veten time dhe besoj te vetja, sepse lavdi Zotit kurrë nuk më ka zhgënjyer. Por duke pasur parasysh se gjithçka është relative, atëherë e kam të qartë se mbi të gjitha nevojitet shumë punë dhe impenjim maksimal, sepse nuk thonë kot talenti është diçka, por puna gjithçka. Sidoqoftë, parashikoja se gjithçka do të shkonte në mënyrën më të bukur.
Na e përshkruaj pak gjithë këtë rrugëtim deri në fitore?
Mbi të gjitha diçka e jashtëzakonshme, e vështirë dhe e bukur në të njëjtën kohë. Udhëtime të shpeshta 8-orëshe nga Shkupi në Tiranë dhe anasjelltas. Por kur udhëhiqesha nga pasioni, vrulli dhe dashuria e madhe për diçka, atëherë pengesat tremben nga ti.
Sa ke arritur ta njohësh publikun shqiptar?
Një publik si ky i yni, i zjarrtë dhe kaq artdashës, është si dashuria e parë, sepse të bën për vete që në hapin e parë që ngjitesh në skenë. Nuk e di sa kam arritur ta njoh, por e di sa kam arritur ta dua dhe mund të them me plot gojën se e dua shumë.
Çfarë mendon se të dhuroi Tirana përveç fitores?
Nuk është vetëm fitorja gjëja më e bukur që më dhuroi Tirana, por dhe miqësitë e reja, çastet e paharruara në prapaskenë dhe në prova, këshillat e profesorëve tanë të nderuar, numri i fansave që shtohen nga dita në ditë dhe mbi të gjitha mikpritja tiranase.

© Panorama.al

Te lidhura