Me thirrje të forta kundër qeverisë dhe premtimin për t’u rikthyer sërish në shesh, mijëra qytetarë kanë përmbyllur mbrëmjen e sotme protestën e nëntë radhazi në Tiranë, e cila zgjati rreth pesë orë.
Pas marshimit në rrugët kryesore të kryeqytetit dhe ndalesave para institucioneve shtetërore, protestuesit janë rikthyer në Sheshin “Skënderbej”.
“Rama ik! Nesër më shumë!”, ishte mesazhi që shoqëroi shpërndarjen e protestuesve nga sheshi, për t’u mbledhur sërish ditën e nesërme.
Gjatë marshimit, pjesëmarrësit u kanë bërë thirrje të rinjve që t’i bashkohen protestës për vijimin e lëvizjes së tyre dhe kanë përsëritur thirrjen për dorëheqjen e Ramës.
“Bashkohuni me ne” dhe “Edi Rama, o tradhtar, jep dorëheqjen sa më parë!” ishin dy nga thirrjet e dëgjuara nga turma, ndërsa protestuesit vijuan marshimin në mënyrë paqësore për disa orë.
“Revolucion, revolucion; Edi rama ka mbaru, ka mbaru, ka mbaru; Dorëheqje, dorëheqje, dorëheqje, dorëheqje”, janë po ashtu disa nga parullat që ata thirrën njëzëri teksa u dynden rrugëve të kryeqytetit.
© Panorama.al


















