
Komisioni i Venecias u bën thirrje forcave politike që të ngrenë sa më shpejt komisionin parlamentar të reformës zgjedhore. Në përfundim të takimeve dyditore në Tiranë, sekretari i Komisionit të Venecias, Tomas Markert, doli në një konferencë për shtyp, ku nuk dha detaje për bisedat me krerët e partive, por e vuri theksin te nisja e punës. “Jemi këtu të kontribuojmë për reformën zgjedhore të Shqipërisë. Nuk duhet të shohim pas, por para. Do të nxjerrim një opinion në mes të dhjetorit, por disa përfundime janë gati tani. E para është nisja e punës dhe ngritja e një komisioni parlamentar për reformën zgjedhore. Jemi optimistë që do të funksionojë shpejt dhe më duhet të nënvizoj se puna duhet të nisë shpejt, sepse keni një numër të madh rekomandimesh. Çështjet janë të qarta, tani duhet që Parlamenti të fillojë të punojë mbi opinionet”, tha Markert. Ai përsëriti edhe njëherë se pas takimeve të zhvilluara në Tiranë, Komisioni i Venecias do të përgatisë një raport, të cilin do ta bëjë publik në mbledhjen e muajit dhjetor. “Më 16-17 do të kemi një opinion më të qartë për të adresuar çështjet e OSBE/ODIHR-it. Jemi gati të punojmë me komisionin parlamentar. Ne nuk punojmë me partitë politike, por me trupat zyrtare. Ne jemi për të ofruar këshilla dhe ekspertizën e duhur”, theksoi Markert. Sekretari i Komisionit të Venecias u shpreh se nuk ka ndonjë dallim të madh midis rekomandimeve të delegacionit të përbashkët të Komisionit të Venecias e OSBE/ODIHR-it dhe opinionit të përbashkët që do të dalë në dhjetor për përmirësimet që mund t’i bëhen legjislacionit elektoral dhe praktikave zgjedhore në Shqipëri. Ai bëri të ditur gjithashtu se nëse rekomandimet e delegacionit zbatohen, atëherë politika shqiptare do të bëjë progres sa i përket reformës zgjedhore. “Nuk ka ndonjë dallim mes opinionit dhe rekomandimeve. Ai do përmbajë rekomandime dhe unë nuk e di mirë cilat janë këto pyetje. Por, besoj disa çështje që janë diskutuar do të reflektohen në opinion, sidomos çështjet pas zgjedhjeve lokale dhe Parlamentare. Reforma shkon larg, rekomandimet e OSBE/ODIHR-it kanë adresuar çështjet që duhen adresuar dhe nëse i zbatoni, atëherë do të bëni progres, ndaj mendoj se detyra kryesore është t’i qartësojmë këto rekomandime dhe të gjejmë mënyrat e duhura për t’i zbatuar ato”, nënvizoi Markert. I pyetur nëse pjesë e opinionit që do të publikohet në mbledhjen e 16-17 dhjetorit do të jenë edhe katër pyetjet e drejtuara nga Partia Socialiste për votat e hedhura në kutinë e gabuar në Bashkinë e Tiranës, sekretari i Komisionit të Venecias u shpreh se “nuk jam në dijeni se çfarë janë saktësisht këto pyetje, por çështjet kryesore që janë diskutuar do të reflektohen në një mënyrë apo një tjetër në opinion”.
Një ditë më parë, në nisje të takimeve dyditore në Tiranë, zyrtari i Komisionit të Venecias tha se do të diskutohen çështjet që kanë të bëjnë me të ardhmen, dhe jo ato të së shkuarës. “Komisioni i Venecias është këtu, pasi kemi marrë një detyrë nga sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës për të parë se çfarë përmirësimesh mund të bëhen në të ardhmen në lidhje me reformën zgjedhore, në mënyrë që të shmangim krizën politike në të ardhmen. Detyra jonë është që të bëjmë rekomandimet për të ardhmen, dhe jo vlerësime për të kaluarën”, u shpreh Markert.
Takimet e Venecias
Gjatë dy ditëve të qëndrimit në Tiranë, delegacioni i Komisionit të Venecias zhvilloi takime me Kryeministrin Sali Berisha, kryeparlamentaren Jozefina Topalli, kreun e PS-së Edi Rama dhe negociatorët e PD dhe PS për reformën zgjedhore. Edhe dje në mëngjes Tomas Markert u takua me përfaqësuesit e dy partive në një mëngjes pune.
Këshilli i Europës
Sekretari i Përgjithshëm i KiE, Thorbjorn Jagland, i ka dërguar pak kohë më parë një letër presidentit të Komisionit të Venecias, Gianni Buquiçhio. “Do të isha mirënjohës nëse Komisioni i Venecias do të jepte një opinion lidhur me ato që duhen përmirësuar në legjislacionin dhe praktikën elektorale në Shqipëri, në dritën e eksperiencës më të fundit”, thuhet në letrën e Jagland.
ODIHR: Gati të ndihmojmë komisionin
Përfaqësuesi i OSBE/ODIHR-it, në komunikimin e djeshëm me mediat, u shpreh se vizita e përbashkët tregon gatishmërinë e tyre për të ndihmuar komisionin parlamentar në zbatimin e reformave. “Kemi qenë në Shqipëri edhe muajin e kaluar. Kjo vizitë e përbashkët me Komisionin e Venecias tregon që OSBE/ODIHR është i gatshëm për të ndihmuar komisionin parlamentar për të zbatuar rekomandimet për reformën zgjedhore”, theksoi përfaqësuesi i OSBE/ODIHR-it.
PS me dy qëndrime për marrëveshjen me Serbinë

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u kërkoi dje deputetëve në Grupin Parlamentar të votojnë pro marrëveshjes me Serbinë për heqjen e vizave me Shqipërinë. Burime nga selia rozë bëjnë të ditur për gazetën se kreu i opozitës është shprehur dakord me draftin e negociuar nga qeveria dhe që pritet të miratohet në seancën e së enjtes. Por, nga ana e tyre, deputetët e PS-së kanë shfaqur deri tani tri mendime të ndryshme në komisionet parlamentare kur është diskutuar kjo marrëveshje. Fillimisht ata votuan kundër në Komisionin e Sigurisë, madje në një seancë ajo u shty njëherë për shkak të insistimit të PS-së. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve, ish-kryeministri Pandeli Majko, bashkë me disa deputetë të opozitës, abstenuan. “Në nenin 2 thoni se ‘shtetasit e palëve kontraktuese mund të hyjnë…’. Gjuhë ligjore është kjo? Mund të hyjnë do të thotë edhe mund të mos hyjnë. Në nenin 2 ju thatë që janë marrë si modele marrëveshjet me Maqedoninë, Bosnjën dhe Kosovën. Për Maqedoninë dhe Bosnjën Shqipëria njeh minoritete. Ndërtimi i qendrave kulturore apo qendrave ka të nënkuptuar kërkesën e Serbisë për të njohur minoritet serb në Shqipëri? Këtu po flasim për një lëvizje të lirë. Këto ishin rezervat e mia. Nisur nga këto që sapo thashë, vota ime do të jetë abstenim”, u shpreh Majko. Ndërkohë, një tjetër qëndrim u mbajt në Komisionin e Integrimit, ku megjithëse e kritikuan, në fund deputetët e PS-së e votuan marrëveshjen. “Besoj se të gjithë kolegët në parim janë pro për marrëveshjen edhe për çdo nen të gjitha pyetjet ishin në funksion të sqarimit”, tha kryetarja e Komisionit, Ermelinda Meksi.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











