Vendimi në qeveri: Buxheti i ri, sa rriten pagat dhe pensionet

Oct 31, 2011 | 9:50

Shtesa 3-5% për pensionistët dhe indeksim për buxhetorët, fondet për ish të përndjekurit dhe ish-pronarët.

Qeveria pritet që këtë të mërkurë të miratojë buxhetin e vitit 2012. Pavarësisht përpjekjeve për ta miratuar më herët dhe në mbledhjen e kaluar, nga ana e një sërë ministrive u kërkua kohë që të shqyrtohej për herë të fundit fondi që iu ishte lënë në dispozicion dhe projektet që do të financoheshin. Këtë të mërkurë pritet që të gjithë të kenë bërë propozimet përkatëse, në mënyrë që buxheti t’i kalojë komisioneve parlamentare për diskutim. Mësohet se qeveria synon që këtë vit të mos kufizojë investimet, të cilat në një farë mënyre kanë qenë dhe motori i rritjes ekonomike, sidomos ato të infrastrukturës. Por, pritet që të tregohet më shumë kujdes me shpenzimet korrente. Kjo nënkupton një administratë me më pak shpenzime dhe me dietë më të shtrënguar se më herët.
Pagat dhe pensionet
Pothuajse çdo vit epiqendër diskutimesh janë bërë fondet për pagat dhe pensionet. Pothuajse në çdo dalje të tij, Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se politika e rritjes së pagave dhe pensioneve do të vijojë. Për vitin 2012, Ministria e Financave ka propozuar pranë qeverisë se rritja e pagave do të bëhet vetëm për ato të ulëta, duke përjashtuar të lartat, një traditë që në fakt është ndjekur dy vitet e fundit. Për pagat e mesme të administratës është propozuar që të indeksohen në nivelin 3 për qind, kurse pagat e disa kategorive të veçanta siç janë mjekët, mësuesit, infermierët dhe pagat e ulëta, rritja është propozuar që të jetë më e lartë, në një mesatare prej 6-7 për qind. Fondi që është vënë në dispozicion në buxhet është 1.3 miliardë lekë. Qeveria, nga ana tjetër, do të vijojë edhe me politikën e rritjes së pensioneve. Në dispozicion është propozuar nga Financat një fond prej 1.5 miliardë lekësh që do të shkojë për pensionet e fshatit dhe qytetit. Respektivisht, Ministria e Financave ka propozuar në qeveri një rritje 3 për qind për pensionet e larta apo pensionet e qytetit dhe një rritje 5 për qind për ato të ulëta apo të fshatit. Kjo rritje shkon pak a shumë dhe me këshillat që ka dhënë FMN-ja në raportin e fundit për Shqipërinë, që të bëhet vetëm indeksim.
Pronarët dhe të përndjekurit
Në buxhetin e ri të vitit 2012 janë parashikuar edhe fonde që do të shkojnë për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve dhe për ish-pronarët. Sipas kuadrit makroekonomik dhe fiskal 2012-2014, të miratuar në korrik, për ish-pronarët është vendosur në dispozicion një fond prej 2 miliardë lekësh. Nga Ministria e Financave vijon të jetë ky propozim për buxhetin 2012, por pritet që gjatë diskutimeve në mbledhjen e së mërkurës të vendoset edhe fondi i saktë. Pak a shumë, fondi pritet të jetë rreth nivelit të parashikuar në kuadër. Edhe sa i përket ish-pronarëve fondi i parashikuar në kuadrin makro-fiskal është 2 miliardë lekë dhe po kaq është edhe propozimi i Financave në buxhetin 2012. Në diskutimin në qeveri pritet që shifra të ndryshojë, por afër këtyre kufijve.

Pagat dhe pensionet
Fondi për pagat            1.3 miliardë lekë

Rritja
Pagat e ulëta                    7%
Pagat sipas kategorive       6-7%
Pagat mesatare                   3%
Pagat e larta                    –

Fondi për pensionet        1.5 miliardë lekë
Rritja
Pensionet e fshatit            5 %
Pensionet e qytetit            3 %

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura