Vendimet e qeverisë/ “KAYO” autorizohet të nisë prodhimin e armëve në godinën nga ku u dëbua News24, BalkanWeb e Panorama

Nov 5, 2025 | 18:07

Qeveria shqiptare ka dhënë autorizimin për shoqërinë aksionare shtetërore “KAYO” sh.a., e cila do të merret me prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve, teknologjive dhe mjeteve të sigurisë.

Bordi drejtues reagimi per bastisjen e News24

Sipas vendimit zyrtar, “KAYO” do të ketë të drejtën të veprojë në mënyrë të pavarur ose përmes kompanive të tjera që mund të krijojë vetë, duke ofruar shërbime për strukturat e sigurisë dhe institucionet vartëse të tyre.

Ky vendim konsiderohet si hapi i parë drejt ngritjes së një industrie kombëtare të mbrojtjes, në përputhje me ligjin për krijimin e shoqërisë shtetërore që mbulon prodhimin dhe tregtimin e pajisjeve ushtarake dhe teknologjive të ndërlidhura me sigurinë.

Qëllimi zyrtar i projektit sipas VKM-së, është garantimi i furnizimeve strategjike për forcat e sigurisë shqiptare përmes “KAYO”-s dhe kompanive bijë që ajo mund të formojë në të ardhmen.

Megjithatë, kujtojmë se për t’i hapur rrugë këtij projekti, televizionet “News24”, “BalkanWeb”, “Panorama TV” dhe “Radio Rash” u larguan me dhunë shtetërore nga godina ku ushtronin aktivitetin, për t’ia lënë vendin kësaj nisme.

Ky zhvillim ka ngritur pyetje mbi transparencën dhe mënyrën si po zbatohen planet qeveritare për industrinë e mbrojtjes, si dhe çmimin që mund të paguhet në kurriz të lirisë ekonomike dhe mediatike.

Vendimi:

AUTORIZIMIN E SHOQËRISË AKSIONARE SHTETËRORE  “KAYO”, SH.A., QË, VETË OSE NËPËRMJET SUBJEKTEVE TË TJERA   TË KRIJUARA PREJ SAJ, TË REALIZOJË PRODHIMIN DHE TREGTIMIN E ARMËVE OSE TË PJESËVE TË TYRE, MUNICIONEVE, TEKNOLOGJIVE, PAJISJEVE, VESHJEVE  DHE MJETEVE, TË PRODHUARA APO TË PËRSHTATURA  NË TERRITORIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, APO SHËRBIME PËR T’U PËRDORUR NGA STRUKTURAT E SIGURISË, ORGANET E VARËSISË SË STRUKTURAVE TË SIGURISË APO SHOQËRIVE AKSIONARE SHTETËRORE TË KRIJUARA NGA KËTO STRUKTURA SIGURIE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 5, të ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Objekt i këtij vendimi është:
a) autorizimi i shoqërisë aksionare shtetërore “KAYO”, sh.a., që, vetë ose nëpërmjet subjekteve të tjera të krijuara prej saj, të realizojë prodhimin dhe tregtimin e armëve ose të pjesëve të tyre, municioneve, teknologjive, pajisjeve, veshjeve dhe mjeteve, të prodhuara apo të përshtatura në territorin e Republikës së Shqipërisë, apo shërbime për t’u përdorur nga strukturat e sigurisë, organet e varësisë së strukturave të sigurisë apo shoqërive aksionare shtetërore të krijuara nga këto struktura sigurie;
b) përcaktimi i rregullave, që zbatohen nga subjektet e përcaktuara në shkronjën “a”, të kësaj pike, për furnizimin me produkte të prodhuara apo të përshtatura në Republikën e Shqipërisë apo shërbime, në përputhje me dispozitat e ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, nëpërmjet shoqërisë aksionare shtetërore “KAYO”, sh.a., ose subjekteve të tjera të krijuara prej saj.
2. Qëllimi i këtij vendimi është që t’u sigurojë subjekteve të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, furnizimin me produkte apo shërbime, në përputhje me dispozitat e ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, nëpërmjet shoqërisë aksionare shtetërore “KAYO”, sh.a., apo subjekteve të krijuara prej saj.
3. Shoqëria aksionare shtetërore “KAYO”, sh.a., dërgon pranë autoriteteve kërkuese listën e produkteve dhe shërbimeve, që ofron vetë ose nëpërmjet shoqërive të krijuara prej saj, minimalisht çdo 6 (gjashtë) muaj.
4. Të gjitha autoritetet kërkuese, të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, që gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre kanë të nevojshme furnizimin me produkte apo shërbime nga shoqërisë aksionare shtetërore “KAYO”, sh.a., detyrimisht i drejtohen me kërkesë kësaj shoqërie për të përfituar produktet apo shërbimet që ofron ajo, bazuar në listën e produkteve dhe shërbimeve që ofron vetë ose nëpërmjet subjekteve të krijuara prej saj.
5. Kërkesa, sipas pikës 4, të këtij vendimi, paraqitet në formë shkresore dhe shoqërohet me projektin për mallrat ose shërbimet e kërkuara. Në projekt përfshihen qëllimi i përdorimit, referencat ligjore, specifikimet teknike të mallrave ose shërbimeve, mënyra e zbatimit dhe vlera e projektit.
6. Shoqëria aksionare shtetërore “KAYO”, sh.a., shprehet për mundësinë e furnizimit, sipas kërkesës së administruar nga autoriteti kërkues, me produkte apo shërbime nga vetë kjo shoqëri ose shoqëri të krijuara prej saj.
7. Në rastet kur shoqëria aksionare shtetërore “KAYO”, sh.a., shprehet se nuk mund të furnizojë autoritetet kërkuese, në përputhje me specifikimet teknike apo projektin e parashturar, autoritetet kërkuese vijojnë me realizimin e prokurimit, sipas kuadrit ligjor në fuqi për prokurimin publik ose prokurimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
8. Në rastet kur shoqëria aksionare shtetërore “KAYO”, sh.a., nuk shprehet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga marrja e kërkesës lidhur me mundësinë e realizimit të furnizimit, kërkesa konsiderohet e refuzuar dhe autoritetet kërkuese vijojnë me realizimin e prokurimit, sipas kuadrit ligjor në fuqi për prokurimin publik ose prokurimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
9. Në rastet kur shoqëria aksionare shtetërore “KAYO”, sh.a., mund të furnizojë autoritetet kërkuese, në përputhje me kërkesën e paraqitur prej tyre, vetë ose nëpërmjet subjekteve të krijuara prej saj, autoritetet kërkuese hyjnë në negociata të drejtpërdrejta me këtë shoqëri për plotësimin e nevojave të tyre, në marrëveshje ndërmjet palëve.
10. Ngarkohen shoqëria aksionare shtetërore “KAYO”, sh.a., të gjitha strukturat, që operojnë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, dhe organet e tyre të varësisë apo shoqëritë aksionare shtetërore të krijuara prej tyre për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
© Panorama.al

Te lidhura