Financimi i partive, Komisioni i Venecias: Rreziku lidhet me financimet e fshehta, duhet më shumë transparencë

Jun 17, 2026 | 10:57

Komisioni i Venecias ka vlerësuar përpjekjet e autoriteteve shqiptare për modernizimin e kuadrit ligjor mbi financimin e partive politike, por ndërkohë kanë kërkuar edhe një sërë përmirësimesh përpara miratimit përfundimtar të ligjit.

Komisioni-i-Venecias-ok

Në opinionin e tyre mbi projektligjin “Për Financimin e Partive Politike”, ekspertët ndërkombëtarë të Komisionit të Venecias vlerësojnë faktin që ‘drafti është hartuar përmes një procesi gjithëpërfshirës, me pjesëmarrjen e mazhorancës, opozitës dhe shoqërisë civile’.

Sipas Komisionit të Venecias, draftligji përmban disa elementë pozitivë, ‘si rritja e transparencës në raportimin financiar të partive, forcimi i mekanizmave të kontrollit dhe auditimit, rregullat më të detajuara për burimet e ndaluara të financimit, si dhe krijimi i një strukture të posaçme pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mbikëqyrjen e financimit politik’.

Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se projektligji ka ‘ende nevojë për ndryshime të rëndësishme për të garantuar zbatueshmërinë dhe efektivitetin e tij’. Sipas opinionit, një pjesë e dispozitave duhet të jenë më të qarta dhe më të detajuara në vetë ligjin, duke shmangur delegimin e tepërt të rregullave në akte nënligjore.

Një nga shqetësimet kryesore lidhet me “financimet indirekte të partive politike”. Komisioni thekson se drafti fokusohet kryesisht te financimi i drejtpërdrejtë, ndërsa “rreziqet moderne lidhen shpesh me financime të fshehura përmes organizatave të lidhura me partitë, palëve të treta, agjencive të komunikimit, platformave dixhitale, kredive, faljes së borxheve apo përdorimit të burimeve publike”.

Ekspertët nënvizojnë gjithashtu se projektligji trajton vetëm financimin e zakonshëm të partive, ndërsa financimi i fushatave zgjedhore rregullohet nga Kodi Zgjedhor.

Ndër rekomandimet kryesore të Komisionit të Venecias janë forcimi i kontrollit mbi financimin e partive, rritja e transparencës së raportimeve financiare, përfshirja e të gjitha formave të financimit në deklarimet zyrtare, garantimi i pavarësisë së audituesve dhe ashpërsimi i sistemit të sanksioneve për shkelësit.

Komisioni rekomandon gjithashtu që ndalimi i pjesëmarrjes së një partie në zgjedhje të përdoret vetëm në raste shumë të rënda, si masë e fundit dhe me garanci të plota procedurale dhe gjyqësore.

Opinioni i plotë i Komisionit të Venecias 

© Panorama.al

Te lidhura