Çmimi i Madh i Malajazisë është shenjuar nga një tragjedi e rëndë. Marko Simonçeli ka humbur jetën, pasi është rrëzuar në pistë. Piloti italian, kampion i botës në 250 kubikë në vitin 2008, ishte vetëm 24 vjeç. Simonçeli ka rrëshqitur nga dalja e kthesës, duke mos u shkëputur dot nga motori, të cilin e ka pilotuar në mënyrë të pashpjegueshme në qendër të pistës, aty italiani është goditur nga Yamaha e Eduards dhe nga Dukati i Valentino Rosit. Piloti amerikan dhe Simonçeli janë rrëzuar, ndërsa Rosi ka vazhduar drejt barit, duke qëndruar në këmbë. Pasojat më të rënda i ka pësuar 24-vjeçari, i cili në përplasjen e fortë ka humbur kaskën, duke mbetur i palëvizur përmbys në mes të pistës. Në një skenë rrëqethëse, ndihma mjekësore ka qenë e menjëhershme, ndërkohë që gara është anuluar. Simonçeli është shoqëruar menjëherë në qendrën mjekësore të pistës, ku ka mbërritur në gjendje arresti kardiak, ndërsa stafi mjekësor ka tentuar në mënyrë të dëshpëruar për ta kthyer në jetë.











