SHKODER- Presidenti Bamir Topi nderoi sot kujtimin e aktorit të mirënjohur e të vlerësuar prej artdashësit shqiptar, Ndrek Prela, duke marrë pjesë në homazhet e organizuara sot në mjediset e Teatrit “Migjeni”, në Shkodër.
Topi ka vleresuar aktorin, i cili ka mbetur dhe do të mbesë në memorien e kombit me lojën e tij të jashtëzakonshme qoftë në teatër, qoftë në kinematografi.
“Ne jemi rritur me rolet e tij. Të pashlyeshme do të mbeten imazhet, që ka lënë ky aktor i madh në disa filma emblematikë siç është “Komisari i dritës”, gjyshi i Dritan Shkabës, apo tek filmi “Në fillim të verës”, apo dhe në filma të tjerë, të cilët unë nuk mund t’i përmend me radhë, sepse janë shumë. Unë e shikoj edhe këtu tek kolegët që ka jo vetëm respekt për veprën e tij, por edhe një mirënjohje të madhe, sepse ai do të mbesë jo vetëm në imazhin e filmave shqiptarë, por do të jetë një shkollë e vërtetë edhe për aktorët e rinj. I paharruar dhe i përjetshëm qoftë kujtimi për këtë figurë të madhe të artit dhe të kinematografisë shqiptare.”- tha Topi.
Me heret, ai nisi dhe nje mesazh ngushellimi per familjen, duke e vleresuar si nga pionerët e artit skenik dhe kinematograf shqiptar, qe do të kujtohet gjithnjë si një njeri i rrallë, i cili ia kushtoi jetën dhe veprimtarinë e vet artistike popullit të tij.
Sipas tij, në mendjen dhe kujtesën e shqiptarëve e artdashësve do të mbeten gjithnjë të pashlyeshme jo vetëm personazhet artistike në skenë dhe në kinematografi që aktori i talentuar Ndrek Prela krijoi e i bëri të pavdekshëm, por edhe e gjithë veprimtaria e tij njerëzore e artistike.
© Panorama.al












