
RISHM-i ka urdhëruar kompaninë “Albanian Chrom” që të pezullojë punën në minierën e Bulqizës për 10 ditë, duke lënë një varg detyrash për drejtuesit e ACR-së. Ky vendim vjen pas kontrollit të ushtruar në nivelet e poshtme të minierës dhe ku konstatohet se përqindja e gazit hidrogjen është ende e lartë dhe se është e pamundur të punohet. Ky pezullim vjen pas një pezullimi tjetër që Ministria e Ekonomisë kishte urdhëruar më 10 gusht 2011, urdhër ky që nuk u zbatua nga drejtoria e ndërmarrjes, por nisi puna pa matur mirë sasinë e gazit në galeri. Vetëm një ditë më parë drejtuesit e Repartit të Shpëtim-Minierave morën masa ndaj ACR-së, duke e gjobitur atë me shumën prej 500 mijë lekësh, për “Për neglizhencë të rregullave të sigurimit teknik në minierën e Bulqizës”. Grupi i punës që po merret me hetimin e çështjes për shpërthimin e të martës së kaluar ka marrë në pyetje dhe personat e plagosur në spital, në Tiranë për të siguruar sa më shumë dëshmi në lidhje me momentin fatal, kur një minator humbi jetën. Megjithatë, edhe dje minatorët e Bulqizës e të afërmit e atyre që u vranë dhe plagosën nga shpërthimi, janë shprehur se nuk janë dakord me konkluzionet e RISHM-it për shkaqet e shpërthimit në nivelin 16-të, që e cilësoi gabim njerëzor. Në familjen e Naim Shytit, minatorit të vrarë të martën e javës së kaluar, vijojnë vizitat e shumta të të afërmve të tij. Ata

zbatojnë ritet mortore të krahinës dhe grumbullohen për ta kujtuar të ndjerin. Bashkëshortja dhe vëllezërit e Shytit nuk pranojnë të prononcohen për mediat, por të afërm të familjes shprehen se RISHM-i gaboi kur publikoi si shkaqe të shpërthimit cigaret. “Të gjithë minatorët pinë duhan, madje edhe nën tokë. RISHM-i e ka ditur mjaft mirë këtë fakt. Nëse kjo strukturë pranë METE-s do të kishte pasur mirësinë të mbronte jetën e minatorëve, duhet të kishte urdhëruar minatorët të mos ndiznin cigare në galeri”, tha njëri nga kushërinjtë e minatorit Shyti. Po sipas këtij burimi, RISHM-i prej kohësh mbron me të padrejtë ACR-në, një firmë kjo që ka krijuar një mal me probleme në minierën e Bulqizë. Sipas familjarëve të Naim Shytit, prokuroria e Dibrës nuk duhet të ndikohet nga raporti i RISHM-it, por të grumbullojë prova e fakte rreth shpërthimit, pasi mendohet se pas shpërthimit dokumentacioni është grumbulluar me vonesë dhe u është dhënë koha e nevojshme drejtuesve të ACR të manipulojnë dokumentet.
Xibri: “Gabimi njerëzor” të hetohet penalisht
Ka reaguar ashpër kreu i sindikatës së pavarur të minatorëve për konkluzionet e RISHM-it. “Kjo është thjesht një maskaradë nga ana e RISHM-it. Të arrijë vetë RISHM-i në këtë konkluzion, kjo është disa herë më e rëndë sesa po qe se këtë përfundim do ta kish arritur një trupë gjyqtarësh”, u shpreh Fiqiri Xibri. Ai deklaron se aksidentet me humbje jete të të tretëve për gabime të drejtuesve të mjeteve trajtohen penalisht, sepse çdo gabim njerëzor që sjell pasojë humbje jetë njerëzore, është faj. “Po kështu për aksidentet në punë. Në bazë të Kodit Penal, neni 289, paragrafi i dytë, dënohet me jo më pak se 5 vjet burgim, pasi ky “gabim njerëzor” solli vdekjen e një minatori dhe plagosjen e dhjetë të tjerëve.
BULQIZE/ HASAN PASHA
© Panorama.al











