Prova të reja kanë dalë në dritë në hetimin për vdekjen e themeluesit të markës së modës Mango, Isak Andic, i cili humbi jetën më 14 dhjetor 2024 gjatë një ecjeje në malin Montserrat, pranë Barcelonës.
Sipas dëshmive të reja të përfshira në dosjen hetimore, ecja në mal me djalin e tij, Jonathan Andic, ishte pjesë e një procesi terapeutik familjar, i cili synonte përballjen e tyre me një situatë të vështirë emocionale.
Një përkthyese britanike, e cila kishte bashkëpunuar me terapisten e familjes, ka deklaruar se me kërkesë të saj kishte ndihmuar në përzgjedhjen e itinerarit malor për takimin mes babait dhe djalit.
Sipas dëshmisë së saj, rruga Camí de les Feixades ishte zgjedhur për këtë qëllim dhe një javë para ngjarjes ajo kishte shoqëruar Jonathan Andic në të njëjtën zonë, në mënyrë që ai të njihte terrenin përpara se të shkonte me të atin.
Hetuesit spanjollë kishin konstatuar më herët, përmes të dhënave të gjeolokacionit dhe sistemeve të identifikimit të automjeteve, se Jonathan Andic kishte vizituar të njëjtën zonë disa herë para vdekjes së babait të tij.
Dëshmitarja ka pohuar se terapistja kishte kërkuar që babë e bir të përballeshin me një përvojë të fortë emocionale si pjesë e trajtimit. Sipas saj, një nga udhëzimet ishte që Jonathan Andic të përballej me një situatë pranë një zone shkëmbore.
Ajo vendosi të dëshmonte pasi mësoi se hetimi po shqyrtonte edhe mundësinë e përfshirjes së personave të tretë në ngjarje. Para autoriteteve, ajo dorëzoi edhe komunikime me shkrim dhe materiale audio të shkëmbyera me terapisten në lidhje me organizimin e ecjes.
Isak Andic, themeluesi i Mango-s dhe një nga biznesmenët më të njohur në Spanjë, humbi jetën pas rënies në malin Montserrat. Djali i tij, Jonathan Andic, vijon të jetë nën hetim për rrethanat e ngjarjes.
© Panorama.al












