Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha komentoi gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar thirrjet e vazhdueshme të protestuesve për arrestimin e tij dhe akuzat ndaj opozitës se është e shitur dhe bashkëpunon me qeverinë.
Ai i cilësoi thirrjet “Berisha në burg, PD e shitur” si slogane të bëra nga ekstremistët e majtë dhe nga opozitarët e opozitës. Sipas tij, ata po veprojnë njësoj si kryeministri Rama për protestën e qytetarëve.
“Në emër të PD dhe tuajin, përshëndes ata dhjetëra mijëra shqiptarë të pamposhtur që vazhdojnë uraganin e lirisë dhe i ftoi demokratët në Tiranë dhe mbarë Shqipërinë që të mbështesin këtë protestë. Të mbështesin me fuqinë e tyre zero ndikim nga slogani i ekstremistëve të majtë, apo opozitarët e opozitës Berisha në burg, PD e shitur. Asnjë ndikim. Zero.
Asnjë pengesë sepse ato që i thonë këto kërkojnë me çdo kusht që të bëjnë punën Ed Ramës për protestën. I përshëndes se i shoh çdo natë demokratët e palodhur. I ftoj edhe më shumë protestuesit sepse po firmosin fundin e një sundimtari më të keq që ka pasur Shqipëria në histori pas Enver Hoxhës.”, tha ai.
© Panorama.al












