Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka angazhuar të gjitha strukturat shtetërore për të goditur protestën qytetare që po zhvillohet në Tiranë.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se qeveria po përdor Policinë e Shtetit, SHISH-in dhe administratën publike për të penguar dhe diskredituar protestuesit.
Sipas tij, janë mobilizuar edhe punonjës të administratës për të krijuar llogari false në rrjetet sociale me qëllim, sipas pretendimeve të tij, uljen e shikueshmërisë dhe demonizimin e protestës.
Berisha e cilësoi qëndrimin e qeverisë ndaj protestuesve si një akt me karakter diktatorial dhe dëshmi të natyrës autoritare të regjimit.
“Qëndrimi ndaj protestuesve dhe protestës rinore qytetare më të fuqishme që ka njohur vendi nga vitet ’90 gjer sot. Qëndrimi i Edi Ramës dhe puthadorëve të tij në media, por edhe qindra e mijëra patronazhistëve terroristë politikë ndaj protestuesve paqësore është një nga aktet më të rënda, më kriminale në historinë e këtij vendi.
Është dëshmia më flagrante me karakterit diktatorial të regjimit. Është dëshmia më flagrante e diktaturës autoritare të bazuar në drogë, në narkoshtetin, krimin dhe vjedhjen e shqiptarëve. Edi Rama, përveç angazhimit total të policisë kriminale, që është më kriminale se çdo bandë tjetër, të shërbimit informativ kombëtar, që bashkërendon të gjitha praktikat me Beogradin, ka mobilizuar mijëra rrogëtarë, punonjës të administratës shtetërore në krijimin e llogarive false në mediat sociale, në rrjetet sociale për të demonizuar protestën dhe protestuesit, për t’ia ulur shikueshmërinë e tyre dhe për të ndikuar në algoritmin, që sipas tij ia kontrollonte Irani algoritmin. Edi Rama po bën gjithçka kundër kësaj proteste, e cila në fakt e zhveshi para gjithë botës moralin, fytyrën, karakterin e vërtetë të tij”, tha Berisha.
© Panorama.al











