Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari bëri me dije pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave se kanë miratuar dy vendime që kanë të bëjnë me trajtimin financiar të familjeve të efektivëve të policisë që janë vrarë në krye të detyrës si dhe atyre të plagosur.
Ai theksoi se ditën e sotme përcaktuan masën dhe procedurat për ndihmën financiare ndaj familjarëve të personave që u vranë në krye të detyrës, duke thënë se do të përfitojnë deri në 10 paga mujore, banesa falas si dhe bursa të plota për fëmijët e tyre.
Banesat falas do të jenë nga Enti Kombëtar i Banesave si dhe ato të konfiskuara nga krimi i organizuar. Po ashtu ai bëri me dije se edhe policët e plagosur do të përfitojnë ndihmë financiare, të cilët do të marrin shpërblim.
“Janë miratuar dy vendime të rëndësishme. Kabineti qeveritar gjykoi që të miratohet së pari vendimi që përcakton, masën, procedurat dhe rregullat për trajtimin financiar për familjarët e punonjësve të policisë që kanë humbur jetën në krye të detyrës si dhe shpërblimi që do të marrin punonjësit që janë plagosur në krye të detyrës.
Lajm i mirë se në mënyrë shteruese trajton të gjithë elementët e nevojshëm si nga ndihma e menjëhershme ndaj familjarëve, që shkon deri në 10 paga mujore të familjarëve të punonjësit të ndjerë, më pas me pensionin familjar, bursat të plota arsimore për fëmijët, si dhe gjithashtu punësimi për familjarët e policëve të rënë.
Ajo që është më e rëndësishme është edhe banesat falas për familjarët e punonjësve të rënë në krye të detyrës, që përfitojnë banesa nga Enti Kombëtar i Banesave, projekteve të Korporatës së Investimeve Shqiptare, si dhe banesa që janë konfiskuar nga krimi i organizuar.”, tha ai.
© Panorama.al












