Ish luftëtari i UÇK-së, Meçan Zotaj komentoi reagimin e kryeministrit Edi Rama në lidhje me deklaratën skandaloze të ministres serbe, Snezhana Paunoviç, e cila tha se do të bënte spastrim në Kosovë në vitin 1998.
Në një intervistë për News24, ai e cilësoi deklaratën e kryeministrit si të “butë”, duke përmendur edhe reagimin e ashpër të një eurodeputeti serb dhe Komisioneres së BE për Zgjerim Marta Kos, të cilët kërkuan vënien para përgjegjësisë së ministres së qeverisë së Vuçiç për deklaratën skandaloze.
“I kemi akoma të freskëta plagët në Kosovë dhe fakti që Serbia nuk ka reflektuar asnjëherë për masakrën dhe gjenocidin që ka bërë në Kosovë. Na bën të ndihemi të tmerruar kur shohim pushtetarët e Shqipërisë që afrohen aq shumë, përqafohen dhe madje i quajnë edhe vëllezër ata që kanë qenë pjesë e makinerisë së masakrës serbe mbi popullsinë shqiptare.
Reagimi që kam lexuar dje ka qenë i grupit koordinativ të protestës. Jemi të shqetësuar se si ka mundësi që një eurodeputet çek e ngre zërin në PE dhe kërkon përgjegjësi për ministren serbe dhe Marta Kos, ndërsa kryeministri i Shqipërisë e kalon me butësi një deklaratë terroriste dhe gjenocidiale”, tha ai.
Ai theksoi se një deklaratë e tillë e ministres serbe e ktheu pas në kohë në kohë.
“Kam pasur fatin qe ti bashkohem UÇK-së në sakrificën sublime të djemve dhe vajzave më të mira të kombit që kapën pushkën dhe luftuan për lirinë e Kosovës. Jam i plagosur gjatë luftës, i shëruar dhe kthyer sërish në luftë. Është pjesa më e lavdishme e jetës time. E kam parë nga afër gjenocidin.”, shtoi ai.
© Panorama.al












