Vasili: Aparatura radiologjie në çdo spital rajonal

Oct 6, 2011 | 11:10
Ministri Vasili, dje gjatë simpoziumit të radiologjisë

Çdo spital rajonal do të pajiset me aparatura që kryejnë ekzaminime radiologjike. Çdo vit në Shqipëri realizohen rreth 424 000 të tilla. Shifër kjo e cilësuar e madhe në raport dhe me numrin e popullsisë shqiptare. Prej tyre, 248 000 janë vetëm ekzaminime ekografike. Të dhënat u bënë publike dje gjatë simpoziumit të radiologjisë. I pranishëm në këtë aktivitet, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, theksoi se mjekësia artizanale ia ka lënë tashmë vendin mjekësisë të thelluar profesionale. Simpoziumi është pjesë e një tradite tashmë të konsoliduar të bashkëpunimit me qeverinë zvicerane, që ka qenë dhe kontribuuesja kyçe në problemet e edukimit në vazhdim në shëndetësinë shqiptare. “Sot, në sistemin e edukimit në vazhdim është përfshirë i gjithë personeli mjekësor. Kjo ka bërë që ne të aplikojmë një sistem (sistemi i krediteve) nga më i përparuari në Ballkan. Kontributi i ekspertëve zviceranë ka qenë i madh dhe marrëveshja e nënshkruar mes rektorëve për këtë çështje na bën të jemi këtu dhe të trajtojmë tema që përbëjnë risi”, u shpreh ministri Vasili. Ai shtoi se projektet e Ministrisë së Shëndetësisë për pajisjen me imazheri profesionale të të gjitha spitaleve rajonale përbëjnë tashmë një domosdoshmëri jetike për të dhënë ekzaminime të një besueshmërie të lartë. “Pa pasur aparatura të tilla, nuk mund të themi që niveli i diagnozës është i lartë. Në momentin që këto aparatura janë, këtë gjë mund ta themi me bindje. Projekti i neoradiologjisë është një projekt i tillë, model dhe ambicioz”, tha Vasili.

© Panorama.al

Te lidhura