Variabëli me zgjedhjen e Presidentit

Oct 4, 2011 | 10:56

LEONARD OLLI

Pas ndryshimeve kushtetuese të korrikut 2008, nisur nga pretendimet se këto amendime kufizuan rolin e Presidentit të Republikës, u rritën ndjeshëm opinionet për zgjedhjen e tij me votë popullore. Në shikim të parë duket si një zgjidhje racionale në kushtet specifike që kalon Shqipëria dhe ku forcat politike në vend mbeten ende larg dialogut politik, brenda dhe jashtë Parlamentit. Madje, shumëkush ka rendur të shtrojë çështje si rritje kompetencash, tjetër përqasje me Parlamentin, por edhe mjaft elemente të tjera të kësaj natyre, të cilat do të kërkonin një sërë ndryshimesh radikale që nuk realizohen pa një “superdialog”, “superkompromis”. Por kur? Sot, kur politika në tërësi dhe opozita në veçanti nuk po tregon as minimumin e përgjegjshmërisë për gjetjen e konsensusit në miratimin e ligjeve me karakter teknik dhe integrues? Thënë ndryshe, do të ishte njëlloj si të shpresoje rritjen e bimëve në shkretëtirë, arritja e konsensusit për ndryshime kaq madhore.
Në fakt, argumentet kryesore të këtij variabëli bazohen mbi besimin se një president i zgjedhur nga populli do të kishte më shumë pavarësi, më shumë kompetenca; për rrjedhojë, më tepër mundësi për të qenë aktor në jetën politike, faktor në stabilitetin politik të vendit apo edhe më gjerë. Kjo për pasojë se me “sistemin aktual, Presidenti i zgjedhur me shumicë të thjeshtë, me aq sa zgjidhet apo ndërrohet një ministër në Parlament, kur ai s’është  pjesëtar i maxhorancës, s’përfaqëson një parti apo grupim politik, por përfaqëson unitetin kombëtar që del mbi partitë”.
Por, a garanton variabëli se Presidenti i zgjedhur nga populli do të ketë tjetër përqasje ndaj rolit të tij, funksionit të tij dhe ushtrimit të kompetencave të tij. Druaj se jo. Dhe sigurisht që ka shumë argumente që të çojnë drejt kësaj ideje. Nëse do t’i referoheshim kuadrit kushtetues (që sigurisht nuk mbetet thelbësor në këtë qasje), në vendet me demokraci të konsoliduar gjejmë shumë modele të republikave parlamentare, republika gjysmëpresidenciale apo presidenciale. Në Europë, si rast më tipik i republikës gjysmëpresidenciale është ajo franceze. Një miksim i mundshëm i pushteteve mes pozitës dhe opozitës, ku një shumicë parlamentare që prodhon qeverinë dhe Presidentit të zgjedhur prej popullit nga një spektër i kundërt politik. Aktualisht, në Francë kemi një konfigurim presidencial edhe në shumicën parlamentare me presidencën e “dorës së fortë Sarkozi”. Pra, ky variabël nuk jep asnjë “garanci” se mund ndryshojë problematikën “presidenciale” shqiptare.
Në pjesën tjetër të Europës, sistemi politik i republikave parlamentare shfaqet diku me Presidentin me detyra të përcaktuara qartë, sikundër dhe rasti i  Shqipërisë, e diku me karakter më honorifik dhe konsensual. Në Greqi, Presidenti zgjidhet nga Parlamenti, ndërsa në Itali nga Parlamenti dhe Senati. Në mjaft nga vendet e kampit ish-socialist, zgjedhja e Presidentit bëhet drejtpërsëdrejti nga populli, por pa cenuar autoritetin e republikës parlamentare, sikundër rasti i Republikës së Maqedonisë.
Ndryshe nga ato, Shqipëria përzgjodhi shembullin e Greqisë apo të rasteve të ngjashme, por zgjedhja e tij nuk ka çuar kurrë në zgjedhje të parakohshme, madje zgjedhja e Karolos Papulias, presidentit të shtatë, është bërë në konsensus të plotë mes dy forcave kryesore në vend, Demokracisë së Re dhe PASOK-ut, i zgjedhur me 279 vota që në raundin e parë dhe me 266 vota sërish në raundin e parë në mandatin e tij të dytë.
Zgjedhja e Presidentit është bërë në Kuvend, sipas paketës kushtetuese në vitin 1991 dhe me disa ndryshime në vitin 1992. Me këtë kuadër ligjor u kryen dhe dy zgjedhjet e tjera të vitit 1997. Me miratimin e Kushtetutës me referendum në vitin 1998, në vitet 2002 dhe 2007, zgjedhja e Presidentit u krye bazuar në nenin 87 (ndryshuar me ligjin nr. 9904, datë 21.04.2008), ku mes të tjerash sanksionohet se individi, i cili merr detyrën e kryetarit të shtetit, ka detyrimin kushtetues të heqë dorë nga të gjitha funksionet partiake (nëse është pjesë e partive politike), për t’iu përshtatur nga pozicioni neutral të kryetarit të shtetit.
Por çfarë do të ndodhte nëse do të pranojmë si zgjidhje votimin e Presidentit me votë popullore? Le të analizojmë rastin e vendit fqinj, Maqedonisë. Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2009 u paraqitën 7 kandidatë: Gjorge Ivanov, i mbështetur nga VMR-DPMNE (i cili dhe fitoi), Lubomir Fërçkovski, i mbështetur nga LSDM-ja dhe PRSD-ja, Imer Selmani, i propozuar nga DR-ja,  Agron Buxhaku, i mbështetur nga BDI, Nano Ruzhini nga PLD-ja, Mirushe Hixha nga PDSH-ja dhe kandidati i pavarur Lube Boshkovski. Nisur nga ajo çka ndodh në Maqedoni, por edhe në çdo vend tjetër ku Presidenti zgjidhet me këtë model, pyetja shtrohet: Po në Shqipëri, nga cili grupim, qoftë politik apo shoqëror, do të propozohej dhe do të mbështetej Presidenti në zgjedhje?
Përgjigjja është quasi e karakterit retorik. Secila nga partitë politike do të nxirrte kandidatin e saj. Pyetje pasuese: Cilat do të ishin burimet financiare për fushatën presidenciale? Ç’do të ndodhte nëse forca politike që propozonte Presidentin fitues, në zgjedhjet e përgjithshme zotëron shumicën parlamentare? Çfarë garancie ka se edhe Presidenti, i cili vjen pastërtisht si përfaqësues i subjekteve politike, nuk do t’i “përulej” apo do të mbronte interesat e shumicës, e cila jo vetëm e ka propozuar, por edhe e ka mbështetur me strukturat e veta partiake? Cilat do të ishin platformat elektorale që kandidatët për presidentë do të parashtronin para votuesve shqiptarë? Betimi për paanësi apo se nuk do t’u nënshtrohej presioneve të politikës?
Vetëm kaq apo ndoshta dhe diçka më shumë, por edhe bindja se një president i këtij formati do të ishte shumë më i kontrolluar se një president konsensual, janë argumente tepër të varfra e të pamjaftueshme për të përligjur mbi 7 milionë eurot kosto zgjedhore, pa llogaritur shpenzimet e kandidatëve respektivë apo dhe fushatën e egër parazgjedhore që jemi mësuar të “shijojmë”. Kalvari i ri i zgjedhjeve presidenciale do të fillonte menjëherë pas një raundi tjetër zgjedhor, i cili rëndom e rropat vendin. Dhe, për më tepër, askush nuk duhet të harrojë se kur ne ende nuk kemi krijuar kulturën e “institucionit të pranimit të humbjes”, zhurma që do të pasonte nga kandidatët humbës dhe partitë mbështetëse do ta zhyste vendin në tjetër kolaps politik e social, me përbaltje të pafund, si e vetmja alibi për humbjen.
Shumë ide naive për t’u pranuar nga shoqëria shqiptare, e cila tashmë e njeh mjaft mirë realitetin politik shqiptar dhe shkallën tonë të emancipimit.
E parë në këtë fokus, askush dhe për asnjë çast nuk mund të japë garanci se ky variabël, i cili kërkon shumë mund dhe energji, do të sillte efekte pozitive në realitetin institucional shqiptar. Shumëkush e kupton shumë mirë këtë skenar, andaj shumë prej tyre e rrëzojnë këtë ide. Por, pjesa tjetër a nuk e kupton vallë? Sigurisht që po! Por, me sa duket, nuk u intereson thelbi, por futja e vendit në një tjetër qerthull pa krye, propozimesh, idesh, thjesht dhe vetëm për të rritur numrin e probabilitetit për përfitime individuale dhe, sigurisht, asnjë progres real në demokracinë shqiptare. Një tjetër tentativë djallëzore për të tërhequr njerëzit në diskutime teorike pa fund, larg problemeve esenciale që preokupojnë vendin, në formate të reja zgjedhore, për të akuzuar sërish dikë në fund se zgjedhjet u vodhën dhe se nuk e njohim presidentin fitues. Në fakt, ashtu sikundër ka thënë dhe Nitche, djallëzia është ajo çfarëdo që del nga dobësia.
Do të ishte irracional dhe absurd diskutimi që në gjenezë i kësaj ideje, të paktën në ditët që jetojmë. Politika është aftësia e parashikimit të asaj që do të ndodhë në të ardhmen, por edhe arti i të shpjeguarit e të mbajturit përgjegjësi pse nuk ndodhi.

© Panorama.al

Te lidhura