Ushtria izraelite thotë se vrau 13 terroristë të Hamasit në Liban, IDF: Mes tyre edhe një trajnues i anëtarëve të grupit!

Nov 21, 2025 | 18:58

Ushtria izraelite njoftoi se kishte vrarë “13 terroristë të Hamasit” në një sulm të kryer në kampin palestinez të refugjatëve Ain al-Hilueh, për të cilin autoritetet libaneze nuk specifikuan identitetet e tyre, edhe pse konfirmuan numrin e viktimat.

izraeli

“Trembëdhjetë terroristë të Hamasit u eliminuan në sulm, përfshirë Jawad Siddawi, i cili ishte i përfshirë në trajnimin e terroristëve për të kryer sulme kundër Izraelit dhe ushtarëve të tij nga toka libaneze”, tha ushtria në një deklaratë.

Ushtria izraelite nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të AFP për emrat e 12 të tjerëve të vrarë në sulm.

Në një deklaratë të lëshuar të enjten, me foto të 13 burrave që dukeshin të rinj, madje edhe minorenë, Hamasi e quajti sulmin një “masakër të tmerrshme” që vrau “disa civilë të pafajshëm”.

Të martën, menjëherë pas sulmit, ushtria izraelite njoftoi se kishte shënjestruar “terroristët në veprim në një kamp trajnimi të Hamasit”.

Në një deklaratë, Hamasi e quajti bombardimin një “sulm barbar”.

“Pretendimet (e Izraelit) se vendi i shënjestruar gjoja ishte një qendër trajnimi që i përkiste lëvizjes nuk janë gjë tjetër veçse shpifje e pastër (dhe synojnë) justifikimin e sulmit të tij kriminal dhe nxitjen e urrejtjes kundër kampeve (të refugjatëve) dhe popullit tonë palestinez”, shkroi Hamasi, duke theksuar se “nuk ka instalime ushtarake në kampet e refugjatëve palestinezë në Liban”.

Ushtria izraelite publikoi atë që e paraqiti si një video të sulmit të saj që tregonte një sulm ndaj një ndërtese, por Hamasi deklaron se “ajo që u shënjestrua është një fushë e hapur e frekuentuar nga të rinjtë e kampit” dhe se ata që u shënjestruan ishin një grup të rinjsh që ishin në fushë në kohën e sulmit.

© Panorama.al

Te lidhura