“Urgjent identifikoni dhe verifikoni listat e votimit të emigrantëve”- Porositë e Berishës për 11 majin: Rëndësia e fushatës elektorale është njësoj si brenda edhe jashtë vendit

Jan 10, 2025 | 17:37
SHPËRNDAJE

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë një takimi me kryetarët e degëve të Shqipërisë ka dhënë porositë e tij, veçanërisht duke u ndalur tek vota e diasporës.

Screenshot_1

Ish-kryeministri tha se këto zgjedhje janë unike, sepse për herë të parë gjysma e elektoratit është jashtë vendit.

Për PD-në- tha Berisha- fushata elektorale ka të njëjtën rëndësi si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

“Në këtë kuadër, është e domosdoshme që ne përpjekjen tonë ta ndajmë të njëjtë për elektoratin brenda dhe jashtë vendit. E domosdoshme”, tha kreu i PD.

Ai u kërkoi të gjithë kryetarëve të degëve që të identifikojnë dhe verifikojnë në mënyrë urgjente listat e votuesve në emigracion.

Berisha: Këto zgjedhje për çdo njërin prej nesh janë unike, janë të parat zgjedhje të këtij lloji në 34 vite. Këto janë zgjedhjet e para në të cilat gjysma e elektoratit është në Shqipëri dhe gjysma nëpër botë. Përshtatja e veprimtarisë tonë me këtë realitet të ri është e një rëndësie vendimtare për fitoren e opozitës më 11 maj.

Duhet pranuar se forcat politike në Shqipëri startojnë përpjekjet dhe fushatën elektorale jashtë Shqipërisë nga mungesa e plotë e eksperiencës. Mirëpo, po të kemi parasysh shpërndarjen e elektoratit dhe disa kushte të veçantë të zgjedhjeve në Shqipëri, fushata jonë elektorale me shqiptarët jashtë Shqipërisë është e një rëndësie të njëjtë me fushatën elektorale brenda vendit.

Në këtë kuadër, është e domosdoshme që ne përpjekjen tonë ta ndajmë të njëjtë për elektoratin brenda dhe jashtë vendit. E domosdoshme!

Ne po bëjmë përpjekje të mëdha që ky proces të jetë transparent, i ndershëm dhe të mos kapet nga Edi Rama dhe banda e tij, e cila pa reshtur bën cdo përpjekje për ta kapur. Por ne jemi për një proces transparent, për një proces që përjashton manipulimin dhe garanton numërimin korrekt të asaj vote.

Verifikimi dhe identifikimi i emigrantëve në listat e votimit është procesi më themelor i të gjithë angazhimit tonë për votën e shqiptarëve jashtë vendit. Unë e di që ju keni filluar punën, por ritmet e kësaj pune duhet me urgjencë të shpejtohen. Një grafik i ri do hartohet nga drejtuesit e qarqeve dhe do tu shpërndahet kryetarëve të degëve. Duhet në grafikë emergjence sepse vota, votimi i emigracionit, pra i gjysmës së elektoratit përfundon më 12 mars. Është vendosur një datë, afat për regjistrimin e tyre.

Rezultatet e deritanishme nuk janë ato që duhet të ishin. Cdo drejtues qarku dhe cdo degë të ngarkojë, të angazhojë forca shtesë për kompletimin sa më parë të këtij procesi. Cdo degë duhet të ketë drejtuesit operativë të procesit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura