Fituesit e fundit në universitete do të shpallen më 30 tetor. Janë rreth 2500 studentë të rinj që pritet të ulen në auditorë. Ata aplikuan për t’u pranuar me formularin A3. Nga sa bën me dije Ministria e Arsimit, specialistët janë në fazën e fundit të llogaritjes së pikëve. Fituesit do të kenë pesë ditë kohë për t’u regjistruar në sekretaritë e fakulteteve. Të vetmet kuota që konsiderohen të djegura janë ato të Universitetit të Tiranës. Kanë mbetur rreth 60 të tilla në degët elitare, të cilat nuk do të plotësohen me studentë. Pavarësisht kundërshtimeve të krerëve të UT-së, MASH e ka marrë vendimin. Nga sa deklaroi pak ditë më parë ministri Tafaj, zbritja e vijës për ta do të tejzgjaste procesin e pranimeve, ndërkohë që viti akademik ka rreth dy javë që ka nisur. Pas publikimit të fituesve të formularit A3, auditorët e universiteteve në Tiranë dhe rrethe nuk do të presin më studentë të rinj për ciklin e studimeve me kohë të plotë. Më 5 nëntor do të shpallen fituesit e sistemit part-time. Aplikimi është mbyllur dhe fakultetet po merren me shqyrtimin e kandidaturave. Prioritet do të kenë kandidatët që nuk e kanë një shkollë të lartë. Për ta kriter do të jetë nota. Por, brenda kuotave të miratuara për part-time, 20% do të jenë për të gjithë kandidatët që kanë kryer një shkollë të lartë. Studentët e paguajnë tarifën e shkollimit të ndarë në këste vjetore, në përputhje me kreditet e lëndëve që do të frekuentojnë në çdo vit akademik. Studenti i nënshtrohet tarifës së shkollimit për një lëndë sa herë e frekuenton atë. Studentët e shkëlqyer nuk e paguajnë tarifën e shkollimit në vitin pasardhës.











