Deputeti socialist, Etjen Xhafaj, ka reaguar përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, për arrestimin e kryetarit të bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, i cili u prangos me urdhër të SPAK.

Xhafaj thotë se “sulmet e këtyre ditëve janë shembulli që tregojnë se reforma ne drejtësi po jep efektin e saj në çdo nivel”, ndërsa thekson mbështetjen e tij për këtë institucion.
Sakaq deputeti nënvizon se “dikush që i ka ndryshuar fytyrën vendit për mirë, nuk mund të trajtohet si kriminel që do ndaluar”.
Reagimi i plotë
“Unë jam me #ERIONIN!
Sulmet e këtyre ditëve janë shembulli që reforma ne drejtësi po jep efektin e saj në çdo nivel, dhe me të jemi të gjithë. Nuk do kishte çuna me shkollë si unë në politikë pa këto. Por drejtësi e procedurë dhe hapa institucionale për të arritur ne një përfundim ligjor. Ndalimi i dikujt, pavarësisht përkatësisë politike, nuk është kjo. Ndaj sot, duhet të pyesim nëse këtë reformë që e deshëm kaq shumë, e duam për statistika e show, apo për të bëre punën e vet, që presupozon që çdo institucion të luajë rolin e vet, jo vetem Spak-u.
Mbështes e mbështesim pa kushte prokurorinë e posaçme, por po ashtu edhe gjykatën për vendimet që merr. Dikush që i ka ndryshuar fytyrën vendit për mire, nuk mund të trajtohet si kriminel që do ndaluar.
Ky është mendimi im e jeni të mirëpritur për ta sulmuar, por unë e ti, e ju e dimë, sa ka ndryshuar ky vend me Erionin. Dhe kjo nuk mund të mohohet! Të tjerat duhen provuar, këtë e kemi para syve përditë.”
Arrestimi i Veliajt
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u arrestua rreth orës 14:00 të së hënës (10 shkurt), pasi Gjykata e Posaçme firmosi masën e arrestit me burg të kërkuar më parë nga SPAK për vepra penale të korrupsionit, i kryer nëntë herë në bashkëpunim.
Veliaj u filmua teksa dilte nga dera e Bashkisë me një dosje gri në dorë, i shoqëruar në distancë nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Gjykata e Posaçme vendosi gjithashtu masën e “arrestit shtëpiak” për bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxa dhe masën e “detyrimit të paraqitjes” për pesë biznesmenë, Gentian Sulën, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha.
Sipas njoftimit të Prokurorisë së Posaçme, Veliaj akuzohet se së bashku me Xoxën kanë krijuar dhe vënë në funksionim një skemë me qëllim përfitimin e paligjshëm të fondeve publike që rridhnin nga Bashkia e Tiranës, që sipas SPAK është vërtetuar në nëntë raste.
© Panorama.al










