
Ish-kryeministrja e Ukrainës u dënua me shtatë vjet burg dje, pasi u gjet fajtore nga Gjykata për abuzim pushteti, në një gjyq të dënuar nga perëndimi si me motivacion politik. Ajo njihet si shkaktare e humbjes së 1.5 miliardë hryvnave (120 milionë euro) në ‘dëm të shtetit’. Timoshenko ka ruajtur qetësinë, por nuk priti derisa gjykatësi Rodion Kirejev të mbaronte së lexuari vendimin e gjatë, duke u ngritur në këmbë dhe duke iu adresuar gazetarëve të pranishëm në sallë. Ajo e ka krahasuar vendimin kundër saj, të cilin e quajti të shkruar nga armiku i saj politik, Presidenti Viktor Janukoviç, me dënimet e tmerrshme të diktatorit sovjetik, Jozef Stalin. “Viti 1937 është kthyer në Ukrainë me këtë vendim dhe të gjithë represionin e qytetarëve”, tha ajo. Timoshenko tha se do ta kontestojë vendimin, i cili gjithashtu nuk e lejon atë të mbajë poste qeveritare edhe tre vjet pasi të mbarojë dënimin. “Sa për mua, të jeni të sigurt se nuk do ta frenojë luftën time as për një minutë. Askush, as Janukoviç, as Kirejev, nuk mund ta poshtërojnë emrin tim të ndershëm”, tha Timoshenko. Kur gjykatësi ka dalë, bashkëshorti i ish-kryeministres, Oleksander, ka thirrur emrin e tij dhe i ka thënë se do të vijë koha që edhe ai të marrë të njëjtin dënim. Mbështetësit e Timoshenkos jashtë sallës së gjyqit janë përleshur me policinë. Timoshenko ishte drejtuesja e Revolucionit të Portokallinjtë, i cili afroi Ukrainën me Perëndimin. Bashkimi Europian, OSBE-ja dhe Rusia, e kanë kritikuar ashpër dënimin e Timoshenkos. Baronesha Katerin Ashton tha në Bruksel se procesi i kishte shenjat e drejtësisë selektive dhe theksoi se “BE-ja do të reflektojë në politikën e saj ndaj Ukrainës”. Kryeministri rus, Vladimir Putin, tha se vendimi mund t’i shkatërrojë marrëdhëniet ndërmjet Moskës e Kievit në fushë të energjisë.











