UET fiton statusin Universitet dhe hap Shkollën Doktorale

Oct 8, 2011 | 11:39

Vjeshta ka mbërritur e begatë për Universitetin Europian të Tiranës. Pas pesë vitesh të suksesshme në tregun e arsimit të lartë, UET tashmë do të ketë statusin Universitet, si dhe do të ofrojë, prej këtij viti akademik e në vazhdim, programet e doktoraturës në të tre fakultetet e tij. Një vendim i Këshillit të Ministrave, që tashmë është botuar në fletoren zyrtare dhe ka hyrë në fuqi e shndërron UET-in nga Shkollë e Lartë Universitare Jopublike në Universitet, duke e bërë një ndër dy universitetet e vetme jopublike në vend me këtë status. UET feston kështu përvjetorin e pestë me një stimul të madh që i shtohet një vlerësimi të lartë marrë nga kompania gjermane CHE e cila pas procesit të rankimit e shpalli Universitetin Europian të Tiranës si më të rankuarin. Vec kësaj institucioni, që prej sot e tutje, zyrtarisht dhe jo vetëm formalisht, mund të quhet Universiteti Europian i Tiranës, shënon edhe hapjen e Shkollës Doktorale sipas një vendimi zyrtar të Ministrisë së Arsimit që mban firmën e kryetitullarit Myqerem Tafaj. Shkolla doktorale e ngre siparin këtë vit shkollor (2011-2012) dhe do të ofrojë diploma në Shkenca Ekonomike, Shkenca Sociale dhe në Shkenca Juridike. Universiteti Europian i Tiranës është një prej dy institucioneve të arsimit të lartë jopublik që ka fituar të drejtën e hapjes së Shkollës Doktorale. Institucioni tjetër i arsimit të lartë që ka kaluar nga shkollë universitare jopublike në Universitet është edhe Zoja e Këshillit të Mirë. Gjithashtu ky universitet i gëzohet edhe shkollës së saj doktorale duke u bërë bashkë me Universitetin Europian të Tiranës të vetmet institucione jopublike të arsimit të lartë me cikël studimi të Nivelit të Tretë.
Universitet/Shkollë e lartë Universitare: Ndryshimi
Ndryshimi mes Shkollës Universitare dhe Universitetit është në fakt te Shkolla Doktorale, apo sic njihen ndryshe Studimet e Ciklit të Tretë (Niveli i parë konsiderohet diploma Bachelor ndërsa nivel i dytë ai Master). Gjithashtu një shkollë e lartë universitare ka një spektër më të ngushtë të strukturës, profileve apo edhe ekipeve akademike. Si shembull mund të merret një shkollë e lartë universitare që ofron arsimim në një profil të vetëm si ai i mjekësisë. Cikli i tretë i studimeve univeristare bëhet kështu shenjë e profilit të përmbyllur akademik të një institucioni të arsimit të lartë duke i rritur jo vetëm staturën, por edhe pozicionimin në treg.

Stafi akademik
Shkolla Doktorale në UET ka në përbërjen e
saj dy organe drejtuese Këshillin e Profesorëve dhe Bordin e Shkollës Doktorale

Këshilli i Profesorëve te UET
Prof. Dr. Adrian CIVICI / Prof. Dr. Ksenofon KRISAFI
Prof. Dr. Luljeta MINXHOZI / Prof. Dr. Albert DOJA
Prof. Dr. Romeo GURAKUQI / Prof. Dr. Përparim FUGA
Prof. Dr. Bujar Kapexhiu

Bordi i shkollës doktorale
Prof. Dr. Adrian CIVICI
(Drejtor i Shkollës Doktorale)
Prof.Asoc.Dr.Engjel PERE
(Koordinator për programin në Shkenca Ekonomike)
Odeta BARBULLUSHI, PhD
(Koordinatore për programin në Shkencat Sociale)
Prof.Dr.Ksenofon KRISAFI
(Koordinator për programin në Shkenca Juridike)
Prof. Dr. Jorgaq kaçani
Universiteti Politeknik (Universiteti partner)
Nathaniel Copsey, PhD
Aston University (Universiteti partner)
Prof. Dr. Artan FUGA
(Akademik) Këshilltar Shkencor

Nenfushat e kerkimit
NËNFUSHAT PARËSORË TË KËRKIMIT SHKENCOR NË UET

Në fushën e shkencave humane dhe sociale:
– Proceset e brendshme dhe të jashtme migratore
– Familja shqiptare, identitete, kriza, strategji ekonomike
– Identiteti kombëtar në kushtet e hapjes kulturore
– Minoritetet etnike në Shqipëri
– Modelet e ristrukturimit të hapësirave urbane dhe rurale në Shqipëri.
Krahasime dhe divergime me modelet perëndimore
– Përqasje mes kulturës popullore autoktone dhe asaj të popujve fqinjë
– Modeli i qytetërimit shqiptar përgjatë historisë. Përqasje krahasuese në
fushën e antropologjisë kulturore
– Gjuha shqipe, komunikimi i kulturave dhe përkthyeshmëria e kodeve
gjuhësore
– Opinioni publik shqiptar dhe besimet fetare në të. Multifetarizmi dhe
laicizmi i sotëm.
– Teoritë bashkëkohore të komunikimit, sociologjisë, antropologjisë, etj.
– Probleme të historiografisë shqiptare : Shqipëria dhe shqiptarët brenda
dhe në kufijtë e hapësirave supranacionale

Në fushën e kërkimit shkencor mbi jurisprudencën :

– Kuadri ligjor në Shqipëri dhe standardizimi i normave dhe kodeve të
së drejtës
– Të drejtat e njeriut : Standarde ndërkombëtare, europiane dhe praktika
e norma lokale
– Institucionet e sistemit gjyqësor shqiptar dhe parimet teorike dhe
parimore të ndarjes së pushteteve
– E drejta ndërkombëtare dhe problematika shqiptare
– Regjimi i kufijve të Shqipërisë
– Studime në fushën e së drejtës së krahasuar
– Shoqëritë zakonore dhe shoqëritë me shtet. Këndvështrim historik dhe
në rrafshin krahasues
– Teoritë bashkëkohore mbi shtetin, të drejtën dhe procesin gjyqësor

Në fushën e kërkimeve shkencore në ekonomi dhe financë:

– Struktura e brendshme e ekonomisë shqiptare në kushtet tregut
global
– Ristrukturimi i marrëdhënieve të pronësisë dhe hapja ndaj kapitalit të
huaj
– Politikat publike dhe investimet e huaja në Shqipëri
– Kriza financiare globale dhe ndikimi i saj mbi Shqipërinë
– Flukset e kapitalit dhe të mallrave në Shqipëri
– Buxheti publik dhe kapitali bankar privat i huaj dhe vendas në Shqipëri

Doktoraturat, UET drejt statusit të qendrës kërkimore

Faksimile e vendimit për doktoraturat

Doktoratura është hapi final në ciklin e studimeve universitare. Me këtë fazë, studentët mbyllin suksesshëm ciklin e studimeve të tyre. Por, studimet doktorale nuk lidhen thjesht dhe vetëm me një gradë ose titull. Ato në thelbin dhe filozofinë e tyre kanë kërkimin shkencor. Gjatë studimeve teoritë gjejnë aplikim dhe qasje në terrene konkrete dhe të prekshme. Studimet doktorale nuk duhet të zgjasin më tepër se katër vjet nga momenti i regjistrimit në një nga drejtimet që  ofron Universiteti Europian i Tiranës. “Shkolla doktorale në UET nuk erdhi thjesht për inerci, pasi mbaruam ciklin e parë dhe të dytë, pasi u akredituam me sukses në gjithë programet e këtyre cikleve, por erdhi si domosdoshmëri dhe objektiv afatgjatë i këtij universiteti për t’u bërë realisht, jo thjesht një qendër e shkëlqyer akademike, por edhe një qendër performance për kërkimin shkencor, pjesëmarrëse aktive në të gjitha debatet që bëhen sot për kërkimin shkencor”, thotë Prof. Dr. Adrian Civici, drejtor i shkollës doktorale në UET. Sipas tij,  do të tentohet të shkohet përtej shkollës, duke bërë që Universiteti Europian i Tiranës të shndërrohet në një  qendër idesh.
Programet e doktoraturës orientohen në tre drejtime bazë që përfaqësojnë dhe kompetencat më të mira akademike e shkencore të UET. Në Shkencat Ekonomike shkolla doktorale do të orientohet në drejtimet e Financës, Menaxhimit, Ekonomisë dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Menaxhimit të Sistemeve të Informacionit. Në Shkencat Sociale drejtimet  doktorale do të jenë tek Shkencat e Komunikimi, Shkencat Politike dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Sociologjia dhe Antropologjia Sociale dhe Psikologji-Pedagogjia. Drejtimet në Shkencat Juridike do të përfshijnë Të Drejtën Publike, Të Drejtën Ndërkombëtare, Të Drejtën Civile dhe Të Drejtën Biznesi. Këto programe studimi realizojnë formimin e doktorantëve me dije e kulturë të thelluar ndërdisiplinore në kuadër të një projekti kërkimor-shkencor koherent, si dhe garantojnë përgatitje shkencore e profesionale cilësore për doktorantët.
Pedagogët dhe metodologjia
Universiteti Europian i Tiranës ka në dispozicion 34 pedagogë me tituj Profesor, Profesor i Asociuar ose me gradën PhD, të përfunduar jashtë vendit në universitete të njohura perëndimore.  Këtij kontigjenti i shtohen edhe 6 profesorë nga Aston University në Birmingam të Anglisë. Këta profesorë në bazë të një marrëveshje të nënshkruar ndërmjet UET dhe Aston University do të angazhohen në realizimin e së paku 30 krediteve teorike e metodologjike në vitin e parë,nga 60 të tilla në total. Formimi i “Doktorit të Shkencave” kërkon që një pjesë e studimeve të thelluara teorike të zhvillohet nën drejtimin e profesorëve të huaj, në UET ose në Universitetin e Aston-it, në Birmingham, Angli, si dhe kryerjen e punës kërkimore në universitete ose institute kërkimore jashtë vendit, për një periudhë kohe të paktën tre mujore dhe jo më të gjatë sesa gjysma e kohëzgjatjes së programit të doktoratës. Studimet teorike janë të organizuara në raporte të drejta e të ekuilibruara ndërmjet formimit akademik, metodologjisë së kërkimit shkencor dhe formimit specifik të doktorantëve. Kursi teorik i doktoraturës vlerësohet nëpërmjet një provimi të përgjithshëm të organizuar nga Shkolla Doktorale dhe Këshilli i Profesorëve.

© Panorama.al

Te lidhura