U hoq nga puna, kontrollori i cencusit vjedh kutitë me formularë

Oct 28, 2011 | 12:27
Kutitë e bllokuara nga policia

PERMET – Një ish-kontrollor i censusit të popullsisë dhe banesave në Përmet vihet në pranga për vjedhje të formularëve. Ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites të së mërkurës, kur Policia e Përmetit ka arritur të identifikojë dhe më pas të arrestojë Lorenc Lumanin, 29 vjeç, lindur dhe banues në komunën e Piskovës. I pushuar nga puna në javën e tretë të regjistrimit, mëngjesin e së mërkurës ai kishte hyrë në ambientet e brendshme të administratës komunare të Piskovës dhe prej andej kishte tërhequr dy kuti me materiale shkresore të regjistrimit të popullsisë. Kutitë brenda tyre kishin formularë të paplotësuar dhe ndodheshin gati për transport drejt kryeqytetit. Sipas burimeve zyrtare policore, Lumani, pasi kishte hapur portën hyrëse të godinës së komunës përmes çelësave që nuk i kishte dorëzuar kur ishte përjashtuar nga puna, është ndalur te dera e zyrës ku ndodheshin dokumentet e censusit. I gjendur përballë pamundësisë për të hapur me çelësa derën, ai ka shqyer derën e zyrës dhe prej andej ka marrë dy kuti me formularë, duke i çuar në banesën e tij. Kur në mëngjes kanë shkuar punonjësit e administratës komunare dhe konstatuan derën e zyrës të shqyer, në të cilën mbaheshin dokumentet e censusit, kanë vënë në dijeni Policinë e Përmetit dhe përfaqësuesit e Instat-it. Menjëherë specialistët e Parandalimit dhe Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Përmet, Patrulla e Përgjithshme e Policisë, të drejtuara nga shefi i Komisariatit të Policisë, kanë mbërritur në vendngjarje. Policia e Përmetit, mbi bazën e informacioneve të grumbulluara nga terreni dhe aplikimit të metodave speciale të hetimit, arriti që disa orë më vonë të identifikonte autorin e grabitjes së formularëve dhe materialet e marra prej tij. I riu është gjetur në shtëpinë e tij. Grupi hetimor konstatoi se në një prej kutive që gjendeshin në banesën e Lumanit mungonin dy formularë, të cilët 29-vjeçari i kishte fshehur për t’i përdorur më pas për qëllime personale. Ndaj Lorenc Lumanit rëndon vepra penale e zhdukjes dhe vjedhjes së dokumenteve.                          p.n

Korçë, 4 nën hetim për falsifikim dokumentesh
Brenda 10 ditëve të fundit, Prokuroria e Korçës ka nisur procedimin penal për 4 persona, pasi kanë aplikuar 2 herë me identitete të ndryshme për karta identiteti apo pasaporta biometrike. Sipas Policisë, ata kanë aplikuar në vend të të afërmve të tyre, të cilët ndodhen jashtë vendit. Rastet janë zbuluar pas hedhjes në sistem të të dhënave dhe përplasjes së gjeneraliteteve të ndryshme dhe shenjave të gishtërinjve, të cilat kanë rezultuar të të njëjtit person. dh.d

© Panorama.al

Te lidhura