U grabisin varëset femrave në qafë, arrestohen 2 të dyshuar në Tiranë

Oct 10, 2011 | 11:11

TIRANE – Grabitja e dhunshme e varëseve të floririt që u shkulen nga qafa kryesisht vajzave por edhe grave në Tiranë, duket se është kthyer në fenomen kriminal. Gjatë dy ditëve të fundit, policia e kryeqytetit ka arrestuar në flagrancë dy persona, që sapo u kishin shkulur nga qafa varëset e floririt dy grave. Sipas ekspertëve të seksionit të vjedhjeve, kjo mënyrë vjedhje ka një rrezikshmëri të lartë për të dëmtuarat, ndryshe nga fenomeni i mëparshëm i grabitjeve të çantave nga persona që lëviznin me motorë. Hajdutët që kryejnë një sulm të tillë, sipas ekspertëve kriminalistë bëhen agresivë në raste rezistence, aq sa mund t’i kushtojë veç dëmit material edhe ndonjë dëmtim të rëndë fizik gruas apo vajzës që bëhet objekt grabitjeje. Nga precedentët e mëparshëm ka pasur raste kur një vajzë e re, 21 vjeçe, mbeti e shpërfytyruar, aq sa iu desh të kryente disa operacione plastike, pasi grabitësi i hodhi acid në fytyrë, kur ajo nuk “bindej”, për t’i “dhuruar” varësen e floririt që mbante në qafë. Një ngjarje e tillë ka ndodhur në rrugën “Mine Peza”, shumë pranë qendrës së kryeqytetit, rreth 2 vjet më parë dhe mbetet ende e pazbuluar nga policia. Ndërsa gjatë këtij viti ka pasur dhjetëra raste në Tiranë, kur femrat denoncojnë në polici se janë sulmuar në rrugë dhe u janë vjedhur varëset e floririt, duke ua shkulur me forcë nga qafa. Dy ditët e fundit, forcat e policisë së Tiranës kanë arrestuar dy persona, të cilët akuzohen se u kanë vjedhur me dhunë varëset e floririt dy kalimtareve. Njëri prej të arrestuarve është 29-vjeçari Blerim Koleci, i cili është kapur në flagrancë nga patrulla e Komisariatit Nr.3, pasi në bulevardin “Gjergj Fishta” sapo kishte sulmuar një grua. Ai u ndalua në kohë, vetëm pak sekonda pasi i kishte vjedhur varësen e floririt shtetases me iniciale K.Sh. Ndërsa një tjetër ngjarje e ngjashme është zbuluar në kohë nga forcat e Komisariatit Nr.2. Altin Sejdo, 37 vjeç, i dënuar edhe më parë për vjedhje, është kapur në flagrancë, pasi i kishte vjedhur varësen nga qafa një gruaje që po lëvizte në këmbë përgjatë Rrugës së Kavajës. Burime nga Policia e kryeqytetit thanë se veç rasteve të flagrancës, ngjarje të tilla denoncohen thuajse çdo ditë në komisariate nga femra të grabitura.

© Panorama.al

Te lidhura