U-21, Shqipëria barazon me Portugalinë

Nov 15, 2011 | 9:10

Kuqezinjtë ndalin luzitanët, por kemi sërish probleme në repartin e mbrojtjes. Portieri Frashëri dhe sulmuesi Sadiku, heronjtë e ndeshjes

Shqipëri-Portugali 2-2
Shënues: Sadiku 55′, 77’/ Josue 20′, Eduardo 62′
Kartonë të verdhë: Imami 57′, 85′, Telushi 75′, Sallaj 76’/ Agra 37′, Mendes 83′, Sedrik 87′
Karton i kuq: Imami 85′
Gjyqtarë: Ivan Kruzliak/ M.Balko dhe O.Brendza (SVK)
Shqipëria: Frashëri, Fejzullahu, Prençi, Sallaj, Dosti, Telushi (Shkurtaj 80′), Brahimi (Bunjaku 60′), Imami, Vajushi (A.Hoxha 90+1′), Bala, Sadiku.
Trajner: Skënder Gega.
Portugalia: Mika, Sedrik, Pedro Mendes, Zhoao Pereira, Ruben Ferreira (Ludovik 87′), Almeida, Agra (Pele 46′), Martins, Oliveira (Fonte 57′), Josue, Eduardo.
Trajner: Rui Jorge

Shqipëria ka marrë dje një barazim heroik ndaj Portugalisë në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Kuqezinjtë e vegjël të drejtuar nga trajneri Skënder Gega kanë luajtur si të barabartë ndaj homologëve të tyre, edhe pse për hir të së vërtetës, luzitanët ishin teknikisht shumë herë më lart se skuadra jonë. Heronj të ndeshjes ishin portieri Stivi Frashëri dhe sulmuesi Armando Sadiku. I pari e shpëtoi disa herë portën e vet nga gola të sigurt, ndërsa i dyti tregoi gjithë klasin e tij, duke shënuar dy gola të bukur nga distanca dhe duke i dhuruar kështu Shqipërisë barazimin e parë në grup (kemi edhe një fitore). Trajneri Gega hodhi në fushë një skuadër sulmuese, ku veç Sadikut, në linjën ofensive ishte edhe Bala e Vajushi. Por pika jonë më e dobët, ashtu si gjithmonë, mbetet mbrojtja. Edhe në ndeshjen e djeshme reparti defensiv tregoi limitet e veta, madje në mjaft raste ishte thuajse inekzistent dhe vetëm forma e shkëlqyer e portierit Stivi Frashëri bëri që Shqipëri të mos pësonte të paktën pesë gola në takimin e djeshëm. Portugalia kaloi shumë shpejt në avantazh me anë të Josue. Një shushatje e dy mbrojtësve të qendrës, Sallaj dhe Prençi, bëri që portugezi të gjuante rehat me kokë drejt portës së Frashërit. Në fraksionin e dytë të lojës, ekipi zbriti me një tjetër entuziazëm dhe në minutën e 55-të barazoi me anë të Sadikut. Një predhë fluturimthi me të djathtën në hyrje të zonës la të shtangur portierin portugez. Por disa minuta më vonë, përsëri gabimi i mbrojtësve tanë, dhe nga një goditje këndi vjen goli i avantazhit, shënuar nga Eduardo. Por kuqezinjtë nuk u pezmatuan dhe, në minutën e 77-të, sërish Sadiku barazoi. Në 10 minutat e fundit, ekipi ynë luajti edhe me një lojtar më pak, pas daljes me karton të kuq të Imamit, por ajo që u vërejt ishte se pas golit të barazimit trajneri Gega nuk ktheu skuadrën në mbrojtje, përkundrazi futi në fushë edhe një tjetër sulmues (4 sulmues), Shkurtaj, për të kërkuar golin e fitores.

© Panorama.al

Te lidhura