U-17, pritje e zjarrtë në aeroportin e Rinasit

Oct 20, 2011 | 13:00

Kombëtarja e moshave (U-17) është pritur me shumë entuziazëm në aeroportin “Nënë Tereza”, pasi është kthyer nga ndeshjet kualifikuese në Estoni. Kuqezinjtë e vegjël arritën të kualifikoheshin, duke shkruar kështu pakëz histori për sa i përket fanellës së Kombëtares. Trajneri Xhemal Mustedanagiç, ai që udhëhoqi kombëtaren tonë të U-17 drejt historisë, shprehet optimist për të ardhmen e lojtarëve të rinj kuqezi. “Qëllimi ynë ishte të arrinim një nga 2 vendet e para, dhe këtë e arritëm. I motivoja lojtarët duke u thënë se do të hyni në histori. Jam i kënaqur nga paraqitja e tyre. Në këtë brez ka lojtarë që do të jenë pjesë e kombëtares A, por me ta duhet të punojnë edhe më shumë. Ky është një proces i gjatë, por gjithsesi duhet të punohet shumë me ta. Për sa i përket raundit të ardhshëm, do të synojmë vendin e parë, pasi nuk kemi se çfarë të humbim”, ka pohuar trajneri, i cili ka thënë gjithashtu se do të qëndrojë pranë ekipit, edhe nëse trajneri Josip Kuzhe nuk rinovon për kombëtaren A (Mustedanagiç është ndihmësi i Kuzhesë). Nga faza elite e Kampionatit Europian U-17, që do të zhvillohet në pranverë të vitit 2012, do të marrin pjesë 24 ekipe dhe vetëm shtatë të parat e grupeve do të kualifikohen për në fazën finale të aktivitetit Europian për këtë grupmoshë.

Spanja e para, Shqipëria e 71-ta
FIFA ka shpallur ranglistën e kombëtareve për muajin e fundit. Kështu Kombëtarja spanjolle prin në renditje, duke grumbulluar plot 1624 pikë, para Holandës me 1425, Gjermanisë 1352, si dhe kampionit aktual të Amerikës së Jugut, Uruguait me 1230 pikë. Kombëtaret e Brazilit, Italisë dhe Anglisë janë në radhën e renditjes, ndërkaq përfaqësuesja e Argjentinës radhitet në vendin e dhjetë. Kurse Kombëtarja e Shqipërisë gjendet në vendin e 71-të, me gjithsej 462 pikë.

© Panorama.al

Te lidhura