Turqia në kërkim të trupave, konfirmohen 272 të vdekur

Oct 25, 2011 | 13:07
Rrënojat e ndërtesave të shkatërruara nga tërmeti në Turqi

Operacione të dëshpëruara shpëtimi kanë vazhduar edhe dje në Turqi për të nxjerrë trupat nga rrënojat e ndërtesave të rrëzuara nga tërmeti 7,3 ballë. Dridhjet ishin më të forta në provincën Van në Lindje të vendit dhe rrëzuan qindra ndërtesa.  Skuadrat e shpëtimit kanë gërmuar edhe me duar për të gjetur njerëz nën rrënoja. Dje u shpëtuan rreth tetë veta. Zona më e goditur ishte Ercis, një qytet prej 75000 banorësh afër kufirit me Iranin. Vetëm aty janë rrëzuar 100 ndërtesa. Rreth 272 njerëz janë konfirmuar të vdekur dhe 1300 të tjerë të plagosur, por zyrtarët parashikojnë se numri i viktimave do të rritet. Dhjetëra viktima ishin studentë në një shkollë Kurani. Ministri i Brendshëm, Idris Naim Sahin, tha se pritet që numri i viktimave të rritet, por sipas llogaritjeve të tyre, do të jetë më pak se një mijë. Skuadrat e emergjencës po kujdesen për të plagosurit në spitale të improvizuara në terren, pasi ndërtesat spitalore janë dëmtuar keq. Rreth 2400 punonjës shpëtimi janë përfshirë në kërkime, 680 prej tyre janë mjekë. Ka edhe shtatë ambulanca ajrore. Dhjetëra mijëra e kanë kaluar natën jashtë në temperatura nën zero gradë. Katër njerëz, përfshirë edhe dy fëmijë, janë nxjerrë nga rrënojat të gjallë në një ndërtesë në Ercis, rreth 20 orë pas tërmetit, pasi një prej tyre arriti të përdorë telefonin. Më pas, një 21-vjeçare u shpëtua pasi kishte qëndruar 27 orë nën rrënoja. Më shumë se 200 paslëkundje u regjistruan në rajon, duke dëmtuar përpjekjet për shpëtim. Një infermiere turke tha për CNN-in se “rreth 100 trupa të vdekur janë pozicionuar jashtë spitalit. I lamë aty gjatë natës sepse ishte errësirë dhe nuk donim të shkelnim mbi kufoma”. Pamjet televizive kanë treguar ndërsa dhe automjete të shkatërruara, banorë të shokuar që lëviznin pa kuptim rrugëve. Tërmeti i së dielës thuhet se ka zgjatur rreth 10 sekonda.

© Panorama.al

Te lidhura