Turqi, shpëtojnë pas 67 orësh nën rrënoja

Oct 27, 2011 | 11:42

Pas 67 orësh nën rrënoja e pluhur, një mësuese 27-vjeçare dhe një nxënës 18-vjeçar janë nxjerrë të gjallë në sipërfaqe. Zemra e 27-vjeçares kishte ndaluar sapo mbërriti në spital, por mjekët kishin arritur ta kthenin në jetë. Ata ishin vetëm disa nga të mbijetuarit e tërmetit, ndërkohë që viktimat janë me qindra. Kryeministri turk, Rexhep Tayip Erdogan, ka krahasuar neglizhencën e disa zyrtarëve dhe ndërtuesve me vrasjen, duke u shprehur se ndërtimet pa standarde kanë ndikuar në shtimin e numrit të të vdekurve nga tërmeti i së dielës. Nga tërmeti 7,3 ballë, deri tani janë regjistruar 460 të vdekur. “Kur shohim mbeturinat, kuptojmë se çfarë materiali i keq është përdorur për të ndërtuar këto pallate”, tha Erdogan. “Ne shohim se njerëzit kanë paguar çmimin për beton, ndërkohë që tani shohim rërë apo blloqe të dobëta betoni që janë rrëzuar më tokë. Bashkitë, ndërtuesit dhe mbikëqyrësit duhet të shohin se neglizhenca e tyre përmblidhet me vrasjen”, tha ai. Ekipet e shpëtimit thanë se shpresat për të gjetur të mbijetuar të tjerë janë zbehur. Një zyrtar i Ministrisë së Shëndetit, Seraqedin Kom, tha se 40 njerëz janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat e ndërtesave të rrëzuara. Ata përfshijnë edhe një vajzë dyjavëshe, e cila u shpëtua të martën bashkë me nënën dhe gjyshen e saj.

© Panorama.al

Te lidhura