Turizmi bregdetar, gazetarë serbë në qytetin e Sarandës

May 18, 2012 | 15:07
Gazetarët serbë dje në Bashkinë e Sarandës

Një grup gazetarësh që përfaqësojnë disa prej mediave më prestigjioze në Serbi, kanë vizituar paraditen e djeshme qytetin e Sarandës, në kuadër të një turi të ndërmarrë prej tyre në të gjithë Shqipërinë, për të parë nga afër veçoritë, zhvillimin dhe kulturën shqiptare. Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Stefan Çipa, i priti ata në zyrën e tij, ku i njohu me historinë dhe zhvillimin e qytetit bregdetar si dhe veçoritë që ai mbart. Përparësitë e qytetit bregdetar, si dhe ftesën për ta vizituar qytetarët serbë, pse jo edhe për të kaluar pushimet e verës, kryebashkiaku i përcolli edhe në një intervistë dhënë gazetares së RTS-së, Branka Kerkez, si dhe RTV Studio-B, Valentina Milenkovic. Në fund kryebashkiaku Çipa i ftoi edhe vetë gazetarët beogradas të vijnë e të pushojnë në Sarandë këtë vit, pasi sipas tij, qyteti ofron gjithçka dhe Saranda, veç detit, ka dhe plot pika të tjera turistike për t’i vizituar. Në përshtypjet e gazetarëve beogradas, Saranda është një oaz i bukur mesdhetar. Gazetarja e RTSsë, Branka Kerkez, u shpreh se “këtu në Sarandë ndihem mirë, pasi gjithçka është e paqtë. Edhe turizmi po ashtu duket që po lulëzon, njerëzit janë mikpritës dhe mjaft të dashur. Mendoj se çmimet këtu janë të përballueshme për çdo vizitor. Kjo i hap rrugën edhe turistëve tanë që të vijnë këtu dhe të kalojnë ditët e verës, pasi kam dëgjuar se mjaft vizitorë nga Ballkani dhe Europa kanë zgjedhur prej vitesh Sarandën, si vend për të kaluar pushimet”. Gazetarja Kërkez shprehu dëshirën për të kaluar pushimet e verës bashkë me familjen e saj në Sarandë. Ndërsa kolegu i saj, Marko Petkoviç, u shpreh se ardhja në Shqipëri kishte qenë e planifikuar kohë më parë. “Tani u bë e mundur që të vijmë e të shikojmë nga afër të gjithë vendin tuaj. Përgjatë gjithë rrugës, nga Shkodra e deri këtu, kemi parë vende të bukura në të gjitha ato qytete ku kemi qenë. Njerëzit janë miqësorë me ne, ushqimi po ashtu është i përkryer, e veç kësaj, vërehet një zhvillim urban për t’u pasur zili. Mua personalisht më ka bërë përshtypje mikpritja e njerëzve të këtushëm, çka është një traditë që dhe ne e trashëgojmë nga të parët tanë”, u shpreh gazetari i “BLIC”, Marko Petkoviç. Grupi i gazetarëve serbë u largua nga Saranda me përshtypjet më të mira dhe me premtimin se pas vizitës së tyre këtu në Sarandë ata do të shndërrohen në përçues të Sarandës turistike për bashkëkombësit e tyre për ta vizituar këtë qytet që, siç edhe u shprehën vetë ata, është bukuria e Mesdheut.

Vlorë, pushime verore me 3 euro nata në godinat e studentëve

Qendra Studentore në Vlorë

VLORE – Konviktet e Qendrës Studentore do të presin pushues nga Kosova, por edhe nga qytete të tjera të vendit, kundrejt një çmimi të papërfillshëm. Drejtoria e Qendrës Studentore ka nisur rreth 4 vite më parë ta ndjekë këtë praktikë, së pari për t’iu ardhur në ndihmë pushuesve, duke qenë se godinat janë bosh, dhe së dyti, me të ardhurat e grumbulluara të kryhen rikonstruksione dhe investime në infrastrukturën e godinave. Sipas punonjësve të konvikteve të Qendrës Studentore, ashtu si çdo vit, në konviktet e Qendrës Studentore strehohen një numër i madh pushuesish. Tashmë Drejtoria dhe punonjësit e Qendrës kanë filluar punën për të përgatitur sa më mirë dhe më shpejt konviktet e Qendrës. Sipas tyre, në kuzhinë ka gatime tradicionale shqiptare dhe gatime ndërkombëtare të administruara nga privatët, me një cilësi të admirueshme të ushqimit. Aktualisht janë përgatitur 240 dhoma me 650 shtretër. Me fondet e grumbulluara nga viti i kaluar janë marrë masa për përmirësimin e kushteve duke blerë çarçafë, batanije, dyshekë, këllëfë jastëkësh, peshqirë dhe në pjesën më të madhe të dhomave janë vendosur shtretër të rinj. Gjithashtu, vjelja e parave ndaj këtyre pushuesve i ka shërbyer Qendrës Studentore të kryejë edhe investime të tjera që u shërbejnë studentëve, por edhe vetë pushuesve që mund të rikthehen në vitin pasues. Mësohet se furnizimi me ujë të ngrohtë dhe të ftohtë dhe energjia është i garantuar 24 orë. Në dhoma do të ketë komoditet të mjaftueshëm si dollapë rrobash, tavolina, karrige, shërbim lavanterie, pastrim kimik, televizor, telefon publik, parkim për automjetet, shërbim mjekësor, sallë interneti dhe rojë 24 orë. Sipas drejtuesve të Qendrës Studentore, një natë do të kushtojë 300 lekë, ose 3 euro, tarifë kjo e papërfillshme në krahasim me një natë fjetjeje në hotelet apo shtëpitë private përgjatë bregdetit. Qendra Studentore ka katër vite që praktikon strehimin e pushuesve përgjatë sezonit turistik nga 1 gushti deri më 15 shtator, kohë kur në konvikte nuk ka më studentë. Gjithashtu, Qendra Studentore pret dhe garanton kushtet edhe për pushuesit me rulotë, duke u afruar parkim, furnizimi me ujë të pijshëm, energji elektrike dhe tubacione për shkarkimin e ujërave të zeza dhe të bardha, pa asnjë pagesë. q.b

Berat, ndotet burimi i Bogovës, pa ujë të pijshëm 3 qytete

Burimi i Bogovës

BERAT – Shirat që kanë rënë ditët e fundit në rajonin e Beratit kanë ndikuar për ndotjen e vendburimit të Bogovës. Prej 3 ditësh, qytetarët e Beratit nuk mund të pinë dot ujë nga çezmat, ndonëse burimi është nga një prej zonave më të mira në vend. Drejtoria e Higjienës, pasi është njohur më ndotjen e ujit të pijshëm, ka nxjerrë njoftime në media për të këshilluar qytetarët që ta konsumojnë ujin vetëm pasi ta ziejnë atë. Sipas ekspertëve, shkaku i ndotjes, siç ndodh prej kohësh, janë bërë minierat e gurit, të cilat gjatë nxjerrjes së pllakave të gurit kanë krijuar boshllëqe, (hapësira) të përmasave të mëdha, në afërsi të vendburimit të Bogovës. Ujërat e shirave menjëherë depërtojnë në këto hapësira dhe përfundojnë në vendburimin e Bogovës, ku shkaktojnë edhe ndotjen e ujit të pijshëm. Veç ndotjes nga dherat, shqetësim është depërtimi i lëndëve kimike të cilat krijohen nga lëndët plasëse që përdorin pronarët e minierave për nxjerrjen e pllakave të gurit. Burime nga Drejtoria Rajonale e Ujësjellësit bëjnë të ditur për gazetën se kjo gjendje është e vazhdueshme prej vitesh, sa herë që bie shi. Drejtori i Ujësjellësit, Fatmir Shehu, u shpreh se prej kohësh problemi është ngritur në institucionet vendore dhe Ministrinë përkatëse, për të ndalur punimet në afërsi të burimit të Bogovës, i cili është furnizuesi i vetëm i Beratit. Shehu pohon se ekziston një vendim qeverie për ta shndërruar vendburimin e Bogovës në një objekt të sigurisë së veçantë, por nuk ka asgjë konkrete në terren. Specialistët e Ujësjellësit thonë se, nëse nuk merren masa për parandalimin e kësaj masakre që krijohet nga minierat, uji i burimit do të humbë drejtimin kryesor, duke rrezikuar tharjen e shpejtë dhe ajo që është më e rëndësishme, mosfurnizimin e banorëve të qarkut të Beratit me ujë të pijshëm. Nga burimi i ujësjellësit të Bogovës furnizohen tri qytete: Berati, Poliçani, Kuçova dhe rrethinat e tyre. Si të mos mjaftonin reshjet dhe dëmet që i shkaktohen vendburimit nga shpërthimet, një tjetër problematikë lind gjatë procesit të mbërritjes së ujit nëpër lagjet e qyteteve, për shkak të amortizimit të rrjetit. d.xh

SARANDE/ SHPRESA DINE

© Panorama.al

Te lidhura