Tumoret,Topalli:Shumë punë për ndërgjegjësimin

Apr 28, 2011 | 10:24

TIRANË- Bashkëpunim mes mjekëve, politikës, shoqërisë civile dhe medias ka kërkuar kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli për rritjen e cilësisë së jetës dhe në mënyrë të vecantë për betejën e grave ndaj kancerit të gjirit dhe qafës së mitrës.

Në fjalën e saj përshëndetëse në kongresin e Gjinekologjisë, që zhvillohet në Tiranë, Topalli ka theksuar se i pari hap në këtë betejë të vështirë është rritja e ndërgjegjësimit tek gratë në mënyrë që sëmundja të kapet në fazat fillestare.

“Kemi shumë punë për të bërë për edukimin dhe ndëgjegjësimin e grave për një vetëkontroll, rritjen e ndërgjegjësimit të grave për të rritur depistimin. Kjo është një kryqëzatë që duhet ta bëjmë bashkë, mjetët, politika, shoqëria civile dhe media”- tha ajo, duke kërkuar më shumë përkushtim në këtë luftë për jetën.

Për Topallin, konkluzionet që pritet të dalin nga ky kongres janë një detyrim i ministrisë së Shëndetësisë, qeverisë dhe politikës në përgjithësi për t’i kthyer në realitet.

© Panorama.al

Te lidhura