Tumoret, gati programi kombëtar i kontrollit

Apr 22, 2011 | 9:43
Zv.ministri Bardh Spahia

Përfundon hartimi i programit të kontrollit të kancerit në Shqipëri. Pas një viti pune intensive, tashmë edhe vendi ynë do të zbatojë të njëjtat parime që rekomandon Organizata Botërore e Shëndetësisë.Për të mbajtur nën kontroll tumoret, të cilat prekin çdo vit mesatarisht 4000 persona, Ministria e Shëndetësisë do të fokusohet në katër komponentë kyçe. Parandalimi ,zbulimi i hershëm, diagnostikimi dhe kujdesi paliativ janë pjesët më të rëndësishme të planit që do të zbatohet 10 vitet në vijim. Nga sa bën me dije kryetari i Bordit Kombëtar të Kontrollit të Kancerit, njëkohësisht zv/ministri i Shëndetësisë, Bardh Spahia, PKKK është i domosdoshëm. Kanceri është sot shkaku i dytë madhor i vdekjeve në Shqipëri dhe pjesa më e madhe e pacientëve zbulohen në stad të avancuar. “Për fat të mirë, sot ekzistojnë njohuritë dhe teknikat për të parandaluar 1/3 e të gjithë tumoreve. Krijimi i PKKK-së do të mundësojë përcaktimin e përparësive dhe identifikimin e veprimeve që duhet të ndërmerren nëpërmjet një analize të kujdesshme dhe planifikimin e veprimtarive të kontrollit të kancerit. Në këtë mënyrë arrihet përdorim sa më i mirë që të jetë e mundur i burimeve të kufizuara dhe rezultatet më të mira të mundshme për zvogëlimin e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë nga kanceri”, sqaron kreu i Bordit Kombëtar të Kontrollit të Kancerit, Bardh Spahia. Ai shton se përpjekjet për kontrollin e kancerit mund të planifikohen dhe zbatohen më efektivisht nëse ato do të ndjekin një përqasje sistematike të vlerësimit të situatës, por edhe duke vendosur objektiva shëndetësore. “Vendosja e përparësive të qarta ka bërë të mundur që të zhvillohen koncepte të tilla si ulja e stadit të tumoreve të kurueshme ,lidhja e natyrshme e radioterapisë me kërkimin për një referim të hershëm të tumoreve të kurueshëm ,politikat e barave esenciale lehtësimin e dhimbjes dhe kujdesit paliativ, si pjesë përbërëse të detyrueshme të kontrollit të kancerit”, sqaron zv ministri i Shëndetësisë. Nga ana tjetër, ai shton se grupi i punës gjatë hartimit të programit kombëtar të kontrollit të kancerit i është përmbajtur të gjitha rekomandimeve të OBSH-së. “Ministria e Shëndetësisë ka pasur mbështetjen maksimale edhe nga qeveria për të mundësuar hartimin e këtij programi mjaft të rëndësishëm “, thotë Spahia. Ai shton se po punohet bashkë me Institutin e Shëndetit Publik për të pasur një regjistër me efektiv për tumoret, duke rritur cilësinë e të dhënave. “Po kështu, janë bërë ndërhyrje të rëndësishme në legjislacion ku mund të përmenden ligji kundër duhanit,ligji për barnat apo për kujdesin shëndetësor. Po merren gjithashtu masa të tjera rëndësishme në këtë drejtim . Vëmendje e veçantë po i kushtohet rritjes së ndërgjegjësimit të publikut për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit përmes informimit, edukimit dhe trajnimit të punonjësve të shëndetësisë”, thekson Spahia. Sipas tij, nuk mund të lihen pa përmendur investimet në infrastrukturë ku janë instaluar një sërë aparaturash të reja.

Onkologjiku, spital i pavarur nga QSUT

Do të jetë spital i pavarur me buxhet të veçantë. Strategjia e re kombëtare e kontrollit të kancerit parashikon ngritjen e Spitalit Universitar i Onkologjisë. Në këtë mënyrë do të përmirësohet ndjeshëm menaxhimi i resurseve në fushën e onkologjisë. Onkologjiku ka qenë spital më vete përpara viteve 1990. Aktualisht, ai është në vartësi të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe zë pjesën më të madhe të buxhetit të QSUT-së. Citostatikët, medikamentet e kimioterapisë që përdoren për trajtimin e personave me tumore janë shumë të shtrenjta. Krijimi i Spitalit Universitar të Onkologjisë pritet t’i japë një tjetër dimension kurimit dhe diagnostikimit të të sëmurëve. Aktualisht një pjesë e mirë e tyre ankohen për probleme me ilaçet. Me anë të ndarjes së tij nga QSUT-ja, edhe vendi ynë renditet krah atyre evropiane, të cilat për tumoret kanë institute dhe spitale të veçanta.

 

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura