Tryeza e partive, 9 kushte për PD e PS

Nov 22, 2011 | 9:05

Partitë e vogla në një qëndrim për reformën zgjedhore. Takim i ri me përfaqësues të OSBE, BE dhe SHBA. “Korrektim kombëtar të sistemit dhe reduktimin e 12 qarqeve në 6”

Dhjetë parti të pranishme në takimin e djeshëm të mesditës, LSI, PR, PLL, PDIU, PBLD, PDS, PSD, PDK, PSV91 dhe PBDNJ ranë dakord me draftin e përgatitur më parë, duke kërkuar që këto propozime t’i paraqiten Komisionit të posaçëm Parlamentar për reformën zgjedhore. Ilir Meta, Fatmir Mediu, Shpëtim Idrizi, Eqerem Spahiu dhe Arjan Starova nga koalicioni i djathtë dhe Paskal Milo, Skënder Gjinushi, Petro Koçi, Nard Ndoka dhe Vangjel Dule nga opozita, kanë shkëmbyer qëndrimet e tyre rreth reformës zgjedhore. Duke konsideruar një rrezik që mund të përsëritet si me marrëveshjen e hershme mes PS dhe PD në 2008, krerët e partive aleate duken më të vendosur që të kërkojnë të jenë pjesë e Komisionit të posaçëm Parlamentar. Për të mbështetur qëndrimet e tyre, ata pritet të organizojnë një tjetër tryezë në ditët në vijim me përfaqësues të OSBE-ODIHR-it, të BE-së dhe të ambasadës së SHBA-ve për të paraqitur propozimet e tyre zyrtarisht. Ata ranë dakord që të kërkojnë korrektim të sistemit zgjedhor në proporcional kombëtar, duke pretenduar vlerësimin e votave të tyre në të gjithë vendin. Gjithashtu, partitë aleate të PS-së dhe PD-së kërkuan të jenë pjesë e reformës zgjedhore, jo vetëm si vëzhgues. Ata kërkojnë balancim të zonave zgjedhore, duke e ulur numrin e tyre në gjashtë nga 12 që janë sot. Kjo sipas tyre, do të barazojë peshën e votës së qytetarëve, ku për të marrë një deputet do të duhen vota të barabarta në të gjithë vendin. Aleatët e PS-së dhe PD-së kërkojnë që komisionet zgjedhore të mos ndërtohen nga strukturat politike, ndërsa numërimi i votave të bëhet në mënyrë elektronike. Ata insistojnë në lista të hapura dhe jo të mbyllura, siç përcakton kodi aktual, por dhe më shumë transparencë të financimeve të partive politike në zgjedhje.
Qëndrimet
Kreu i Demokracisë Sociale, Paskal Milo, lexoi kërkesat e partive pjesëmarrëse në këtë tryezë, kërkesa që do të përpunohen edhe më tej nga ekspertët e partive për t’ia paraqitur Komisionit të reformës zgjedhore. Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, tha se kjo tryezë është mbledhur me shqetësimin për të arritur një funksionim normal të institucioneve shqiptare, me një përfaqësim të drejtë, bazuar në votën e qytetarëve shqiptarë. “Partitë të ashtuquajtura të vogla, përbëjnë rreth 20% të elektoratit shqiptar dhe duhet të kishin në Kuvendin e Shqipërisë 27 deputetë në kuvend. Për fat të keq, 20 mandate të këtyre subjekteve janë shpërndarë pa të drejtë, për shkak të një formule krejtësisht të deformuar te subjektet e tjera”, u shpreh Mediu. “Ne jemi kundër listave të mbyllura, sepse lisat e mbyllura dëmtojnë parlamentarizmin. Të gjendet rruga edhe për t’i dhënë mundësi votuesve që të zgjedhin jo vetëm partinë, por dhe kandidatët brenda forcave politike. Ka shumë hapësirë për të eliminuar të gjitha ato marifetet e të ashtuquajturit sistem spanjoll, i cili cenon barazinë e votës, kur këtë e garanton vetë Kushtetuta”, tha kreu i LSI-së, Ilir Meta. Ndërsa kreu i PDK-së, Nard Ndoka, tha se “ne kemi propozuar që në vend të 12 qarqeve, të kemi 6 zona të mëdha që do të jepnin një numër të barabartë deputetësh. Gjithashtu, duhet t’i jepet mundësia emigrantëve të shprehen me votë, pasi ato mbajnë një barrë të madhe të buxhetit të shtetit me dërgesat e tyre”.

Kërkesat e partive të tjera
• LSI, PR, PLL, PDIU, PBLD, PDS, PSD, PDK, PSV91, PBDNJ të jenë pjesë e domosdoshme e reformës zgjedhore
• Përmirësim të sistemit zgjedhor, përmes korrektimit kombëtar, pa pragje eliminuese dhe deformuese
• Balancim të zonave zgjedhore, duke ulur numrin e tyre në gjashtë
• Administrimi i zgjedhjeve, jo më përmes strukturave politike
• Numërimi elektronik i votave
• Lista të hapura të kandidatëve për deputetë
• Mundësia e votimit të emigrantëve
• Transparencë të financimeve të partive politike në zgjedhje
• Rregullim të hapësirave televizive për partitë e vogla në fushatat zgjedhore

Rama: E përshëndes takimin e partive të vogla
Brenda Partisë Socialiste janë shprehur qëndrime të kundërta personale në lidhje me tryezën e zhvilluar nga aleatët e tyre, por dhe ata të PD-së për reformën zgjedhore. Në adresën e tij në Twitter, aty ku komunikon çdo ditë me mesazhe të shkurtra, kreu socialist, Edi Rama, angazhohet se do të mbështesë interesat e aleatëve. “E përshëndes takimin e partive të vogla dhe përsëris angazhimin e PS-së për një reformë gjithëpërfshirëse”, shprehet Rama në Twitter pas takimit të partive të vogla parlamentare dhe jashtëparlamentare. Por anëtari i kryesisë socialiste dhe nënkryetar i Grupit Parlamentar, Erjon Braçe, i cilëson aleatët e të dy krahëve si tartabiqe që duan të ruajnë statusin e tyre.
“U mblodhën sot me pompozitet tartabiqet e çdo lloj pushteti! Thjesht e qartë: duan të ruajnë statusin që kanë!”, shprehet Braçe në adresën e tij në rrjetin social “Facebook”. Këto qëndrime të ndryshme brenda PS-së i kanë bërë aleatët e tyre skeptikë lidhur me reformën zgjedhore. Deklaratat e hershme se çështja e sistemit zgjedhor nuk do të jetë kusht bllokues nga ana e opozitës në negociata me maxhorancën, i ka bërë ata që të organizohen me njëri-tjetrin për të shmangur një përsëritje të situatës së 2008-s, kur dy partitë ranë dakord për sistemin proporcional spanjoll, i cili penalizonte partitë e vogla, sidomos ato që nuk pranonin të ishin pjesë e koalicionit me njërën nga dy partitë e mëdha. Sot, kreu socialist Edi Rama mësohet se ka thirrur në një drekë pune aleatët e tij, me të cilët do të ndajë mendime dhe propozime lidhur me reformën rgjedhore, që pritet të nisë javën e ardhshme. Kreu i PS-së është shprehur ditë më parë se do të përfaqësojë interesat dhe kërkesat e aleatëve të tij në këtë Komision.

Kreu i PS-së në Shëngjin me vendorët
Kreu i partisë socialiste, Edi Rama, ishte dje pasdite në qytetin e Shëngjinit, ku mori pjesë në një takim me drejtuesit e bashkive të majta të vendit. “Objektivi është i qartë, ndërtimi i një kalendari intensiv, i cili do t’i shërbejë komunikimit me njerëzit, domosdoshmëria për t’i dhënë një hov të ri punës së partisë, duke ndërtuar një proces të hapur me një përfshirje sa më të gjerë”, mësohet të jetë shprehur Rama në këtë takim.
Aristir Lumezi

© Panorama.al

Te lidhura