Trupi i Gedafit do t’i dorëzohet familjes

Oct 24, 2011 | 12:37

Lideri i Këshillit të Tranzicionit në Libi ka deklaruar dje çlirimin e vendit nga regjimi i Gedafit, tri ditë pasi diktatori u kap dhe u vra në qytetin e tij të lindjes. Festa u bë në Benghazi, qyteti simbol i rebelimit kundër kolonelit. Mustafa Abdul-Jalil u bëri thirrje libianëve që të tregojnë durim, ndershmëri dhe tolerancë dhe të lënë mënjanë urrejtjet, duke i drejtuar energjitë e tyre për rindërtimin e vendit, pas shkatërrimeve të një lufte civile. Jalil paraqiti edhe vizionin e tij për të ardhmen e vendit pas Gedafit, duke thënë se ligji islamik Sharia do të jetë “burimi bazë” i legjislacionit në vend dhe se ligjet aktuale që kontradiktojnë mësimet e islamit do të anulohen. Autopsia e trupit të Gedafit, e cila u krye në Misrata, konfirmoi e ish-koloneli libian ishte vrarë me armë zjarri. Pamjet e transmetuara në video të mënyrës se si u ekzekutua lideri i 42 viteve të fundit në Libi, kanë tërhequr kritika nga e gjithë bota. Një nga njerëzit që ka nxitur hetimin e vrasjes ishte edhe sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton. Për të zbutur situatën tejet të rënduar në arenën ndërkombëtare, liderët e KT vendosën që trupin e Gedafit t’ua kthejnë familjarëve të tij. Nuk dihet se kush nga familja do të afrohet për funeralin, pasi pothuajse të gjithë ata janë në kërkim. Sipas mediave që kanë mbështetur regjimin e kolonelit, ky i fundit kishte kërkuar që të varrosej në qytetin e tij të lindjes, Sirte. Ndërkohë, fisi i Gedafit në Sirte, ka propozuar dje djalin e dytë të kolonelit dhe njëkohësisht të preferuarin e tij, Saif al Islam, si pasues të të atit për luftën kundër rebelëve që tradhtuan me NATO-n. Saif al Islam arriti të largohet në shkretëtirë dhe besohet se ka arritur në Nigeri.

© Panorama.al

Te lidhura