
Trojka e përfaqësuesve nga FMN, BQE dhe BE e miratoi dje dhënien e këstit të jashtëm të ndihmës për Greqinë, prej 8 miliardë eurosh, pasi përfundoi misionin e vëzhgimit në këtë vend. Ata thanë se masat e marra nga Greqia nuk ishin të mjaftueshme, por do të çonin këtë vend të kapërcente “humnerën” financiare deri në vitin 2012. sipas tyre, recesioni i Greqisë është më i thellë nga ai që ishte parashikuar në qershor dhe rimëkëmbja e vendit pritet të shënojë gjurmë vetëm në vitin 2013. Përfaqësuesit e trojkës financiare thanë se Greqia duhet të marrë masa të tjera kursimi për periudhën 2013-2014, dhe ato “duhet të fokusohen në anën e shpenzimeve”. Për transferimin e parave, të cilat janë parashikuar të jepen në fillim të nëntorit, nevojitet edhe miratimi i ministrave të Financave eurozonës dhe të Drejtorisë së FMN-së. Sipas trojkës, në fushën e privatizimit ka pasur progres, megjithatë sipas deklaratës, vonesat në përgatitjen e privatizimit të aseteve dhe deri diku përkeqësimi në kushtet e tregut do të rezultojë në humbje të mëdha të të ardhurave të vitit 2011. Ministri grek i Financave, Evangelos Venizelos, e përshëndeti vendimin e trojkës, duke e cilësuar atë të balancuar, të zbatueshëm dhe pozitiv. Gjatë vizitës së përfaqësuesve të tri institucioneve të larta kreditore, në Greqi pati protesta të përditshme. Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Zhan Klod Trishet, ka ndezur llambën e alarmit në botën e bankave, duke diskutuar për Greqinë dhe krizën e saj të borxhit. “Nuk kemi kohë, është e nevojshme që mbi rikapitalizimin e bankave dhe mbi krizën e borxhit sovran të ketë së shpejti vendime të qarta, ato mund të jenë temë e takimit të ardhshëm të BE-së”, shtoi ai, duke bërë thirrje që politika të nxitojë, gjatë një fjalimi në Parlamentin Europian, e shtuar se vonesa të mëtejshme mund të jetë fatale për eurozonën, e cila është kthyer në epiqendrën e furtunës ndërkombëtare. Sipas Trishet, i cili qëndron në krye të BQE-së deri më 1 nëntor, pasi do të zëvendësohet nga Mario Dragi, kuadri ekonomik është përkeqësuar gjatë tri javëve të fundit dhe kriza ka marrë dimensione sistematike”.
Ndërkohë, shefi i grupit të vendeve të eurozonës, Zhan Klod Xhunker, nuk përjashton mundësinë e një reduktimi të detyrueshëm nga 50 deri në 60 për qind të borxhit grek, me qëllim shpëtimin e vendit nga falimentimi. “Nuk e përjashtoj një veprim të tillë”, u shpreh Xhunker, gjatë një interviste për televizionin austriak “ORF 2”. “Nuk mund të lejojmë që një vend anëtar i eurozonës të falimentojë, megjithatë ekziston frika se vende të tjera të eurozonës mund ta pësojnë nga vendimi ynë për të blerë borxhet e Greqisë”, ka thënë ai.
Vota e fundit
Votimi i zgjerimit të fondit europian të shpëtimit ka mbetur peng i Parlamentit sllovak. Kryeministrja sllovake, Iveta Radikova, e ka cilësuar këtë votim si një votëbesim për qeverinë e saj. Kjo do të thotë se, nëse Parlamenti nuk aprovon zgjerimin e fondit europian, Radikova do të japë dorëheqjen. 17 kombet e euros duhet të aprovojnë të gjitha zgjerimin e fuqisë së fondit të ndihmës, i cili është ndërtuar për të forcuar mbrojtjen europiane kundër krizës së borxhit.











