Shqipëria mundi 1-0 Serbinë në Leskovac në një natë që vështirë se do të harrohet nga tifozët kuqezi. Në vijim, lexoni notat për kuqezinjtë protagonistë të ndeshjes, sipas “Panorama Sport”:

STRAKOSHA – Një fazë mbrojtëse thuajse perfekte ia lehtëson në maksimum punën, megjithatë është gati se herë thirret në apel. Kontrollon çdo top që shkon drejt kuadradrit si dhe tregohet i saktë në leximet e situatave gjatë daljeve. I VËMENDSHËM. NOTA 7.5.
GJIMSHITI – Përballë ka “klientë” jo të lehtë, si Vlahoviç apo Mitroviç, megjithatë, së bashku me Ajetin, ashtu sikurse në ndeshjen e parë në Tiranë, ia dalin sërish më së miri që ta “lidhin” dyshen serbe. Fillimisht duket disi në vështirësi, por më me kalimin e minutave fiton siguri, të cilën ia transmeton të gjithë skuadrës. LIDER. NOTA 7.5.
AJETI – I saktë në ndërhyrje dhe fitues në duele. Prej vitesh është një garanci për Kombëtaren, i tillë ishte edhe në Leskovc. Në ajër apo në tokë, çdo top i diskutueshëm kontrollohet prej tij. Protagonist edhe te goli, edhe pse asisti ishte me fat, Arlindi ishte aty, në vendin e duhur. I PAZËVENDËSUESHËM. NOTA 7.5.
HYSAJ – Edhe kundër Serbisë vijon serinë e paraqitjeve të mira, ndërsa momentet e vështira me Kombëtaren tashmë duken një e shkuar e largët. I disiplinuar dhe vigjilent në fazën mbrojtëse, realizon në perfeksion gjithçka që i kërkohet. I RILINDUR. NOTA 7.5.
MITAJ – Pak rëndësi ka nëse terreni nuk është në lartësinë duhur, siç ishte edhe fusha në Leskovc, pasi topi në këmbët e tij është si në kasafortë. Qetësia, saktësia, dhe prekja e topit, janë e një niveli sipëror. Një numër “10” në krah të mbrojtjes. ME KUALITET. NOTA 7.5.
SHEHU – Lufton, rikuperon, ndërton, shtyn përpara. Kombëtarja ka gjetur një mesfushor modern që e ka fituar me “dhunë” vendin në formacion. Nga më të mirët edhe kundër Serbisë, ku edhe pse u ndëshkua me karton të verdhë, rendimenti i tij nuk ra për asnjë moment, gjë të cilën e kuptoi më së miri edhe vetë Silvinjo, duke e mbajtur në lojë gjatë të gjithë takimit. I KOMPLETUAR. NOTA 8.
ASLLANI – Luan thjeshtë dhe nuk gabon thuajse asgjë. Është qendra e lojës së Kombëtares, ndërsa këtë herë nuk munguan as vertikalizimet. Nga këmbët e tij u nis edhe harkimi në zonë që solli më pas golin. Është vetëm 23 vjeç, por tashmë duket si një “veteran” në Kombëtare. I SAKTË. NOTA 7.5.
LAÇI – Ndonëse nuk shihet shumë, lufton fort dhe jep gjithçka në fushë. Muskuj, mushkri dhe shpirt gare, si gjithnjë ka kontribut të rëndësishëm në të dyja fazat e lojës. Në pjesën e dytë, duket se është ai që shfaq më shumë shenja lodhjeje nga mesfushorët, me Silvinjon që e zëvendëson në të 78-ën. LUFTARAK. NOTA 7.
(Bajrami, nga min 78′. Ka shansin e artë për t’i çuar shifrat në 0-2 në minutën e fundit shtesë. Me një galopim fantastik mbi 50 metra me topin në këmbë shfaqet i vetëm para portës, por në momentin më të bukur shpërdoron gjithçka, hipnotizohet nga Petroviç. SHPËRTHYES. NOTA 6.5.)
UZUNI – Rendimenti i një sulmuesi matet me gola, por kontributi i Myrtos në Kombëtare shkon përtej golit. Vrapon dhe lufton pa fund, duke bërë një punë të jashtëzakonshme për skuadrën. SAKRIFIKUES. NOTA 7.5.
(Mihaj, min 90+3′, pa notë).
MANAJ – Përplaset sistematikisht me mbrojtjen fizike serb, ndërsa gradualisht nis të marrë terren, duke fituar duele dhe faulle. Me një koordinim perfekt fluturimthi në fundin e pjesës së parë, bëhet heroi i takimit, duke shkarkuar një “frigorifer” në rrjetën serbe. Në fillimin e fraksionit të dytë për pak sa nuk shënon edhe të dytin. Lufton fort në çdo top, sikur të jetë i fundit i ndeshjes. Shpaguan më së miri atë penallti të humbur në Tiranë, duke shndërruar në hero në Leskovc. NJERIU I NDESHJES. NOTA 9… , notë që bëhet një 10-të e madhe për atë festim që nuk ka të paguar, me shqiponjën dykrenare pas golit. Një moment ikonik që do të mbetet në histori.
(Daku, min 78′. Futet mjaft mirë në lojë, duke i dhënë frymëmarrje ekipit edhe falë karakteristikave të tij fizike. ELEKTRIZUES. NOTA 7.)
BROJA – Duket qartë që nuk i ka minutat në këmbë dhe që nuk është në gjendjen e tij më të mirë, megjithatë sa herë që ka hapësira krijon panik në mbrojtjen serbe, e cila e ka të vështirë që t’ia heqë topin nga këmbët. Një performancë pozitive, në pritje të gjetjes së ritmit të ndeshjeve dhe formës së tij më të mirë. Në rritje. NOTA 7.
(Hoxha, min 63′. Nuk i duhet shumë kohë për të treguar se çfarë di të bëjë. Ka hapësira dhe shfaqet i rrezikshëm, ndërsa jep një dorë të mirë edhe në fazën mbrojtëse. I RËNDËSISHËM. NOTA 7.)
SILVINJO – Luhatjet e skuadrës në ndeshjet e kaluara krijuan përshtypjen sikur tekniku brazilian e kishte humbur disi atë “magjinë” e tij, por në Leskovc është rindezur gjithçka. E ka studiuar në mënyrën më mirë kundërshtarin, duke e bllokuar kudo. Një formacion titullar që rezulton i goditur, ashtu sikurse edhe leximi i lojës me zëvendësimet. STRATEG. NOTA 8.5.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL
© Panorama.al











